SPORT, 11 Korrik 2020, 20:07

Sassuolo “bën zap” Lazion, bardhekaltrit në krizë të thellë

Sassuolo “bën zap” Lazion, bardhekaltrit në krizë

Sassuolo konfirmohet “vrasëse” e skuadrave të mëdha në Serinë A. Pasi i mori pikë Interit në “San Siro” (3-3) dhe mposhti Fiorentinën në “Artemio Franchi” (1-3) ekipi modest i drejtuar nga De Zerbi i shkaktoi disfatën e tretë radhazi në Serinë A Lazios, që jo vetëm dorëzohet përfundimisht në garën për titullin, por rrezikon ta mbyllë në vetën e katërt kampionatin (gjithsesi në zonën Champions).

Në “Olimpico” të Romës u pa një Lazio e lodhur, e pafuqishme për të përballuar fizikisht Sassuolon, e cila e dominoi takimin në çdo aspekt. Në minutat e para bardhekaltrit u mbyllën në gjysmëfushën e tyre, ndërsa traversa dhe Strakosha, por edhe sistemi VAR (Sasuolos iu anulua një gol në minutën e 9-të për pozicion jashtë loje) ruajtën përkohësisht të paprekur rrjetën.

Skuadra e Simone Inzaghit kaloi me fat në avantazh në minutën e 33-të me Luis Alberton, të cilit iu përplas topi në këmbë nga një mbrojtës, për të përfunduar më pas në rrjetë.

Gjithsesi, Sassuolo nuk u demoralizua derisa në minutën e 52-rë barazoi 1-1 me Raspadorin. Freskia fizike e lojtarëve të Sassuolos bëri diferencën me fillimin e kohës shtesë, kur Caputo shënoi golin e fitores (1-2). Një fitore e merituar e Sassuolos, që vazhdon të ëndërrojë, edhe pse duket tepër e vështirë, për zonën europiane, ndërsa Lazio futet në krizë rezultatesh, duke konfirmuar se nuk i ka kapacitetet për të luftuar përtej zonën Champions në Serinë A.