LIFESTYLE, 1 Prill 2018, 22:41

Rudina Xhunga merr një vendim të rëndësishëm, zbulohen detajet e projektit të ri

Të kesh 20 vjet në ekran si ajo, është e padiskutueshme që ke shumë për të rrëfyer. Që nga momentet e para të daljes në televizion e deri te programet më të vështira, kur të ftuarit marrin frenat e emisionit, grinden e shahen, nxjerrin të palarat në publik pa marrë parasysh asgjë, Rudina Xhunga mund të kujtojë shumë. Programe që i ka dashur shumë e të tjera, ndoshta më pak, por me të njëjtin përkushtim pune, e kanë bërë shumë të gjatë listën e Rudinës, ndaj edhe pas këtyre dy dekadave, moderatorja dhe gazetarja e njohur është ndalur për të bërë diçka të re në jetën e saj që nuk ka të bëjë me televizionin.

Pas largimit nga Vizion Plus, ekrani në të cilin për disa sezone drejtoi “Dritare”, Rudina ka në plan një projekt të ri.

E ftuar këtë të shtunë në “Thumb”, ajo rrëfeu se në këtë moment të karrierës ndien nevojën për të ndryshuar, sepse është lodhur nga emisionet në një studio me katër të ftuar që zihen me njëri-tjetrin: “Kur thua: Obobo, ç’do bëj të hënën”,- kjo është gjëja që unë nuk e bëj dot më. Të jem në një studio, të marr 4 veta dhe të them ‘hë, zihuni tani’. Ti mund ta përdorësh për të marrë rrogën, por për asgjë më shumë dhe uroj që emisioneve të tilla t’u vijë fundi shumë shpejt. E para gjë që do të bëj tani është që do shkruaj për kohën që kam kaluar në televizion. Është viti i 20-të në televizion, do të shkruaj për karrierën. Të gjithë bëjnë një party, unë do bëj një libër kontribues”,– tha Rudina për “Thumb” duke shtuar se që nga shtatori do fillojë me një emision të vetin: “Nga shtatori nis një projekt të ri dhe nuk do të marr më rrogë nga një televizion.

Por nuk dha më shumë detaje se çfarë do të jetë dhe si do të funksionojë: “Projekti ka të bëjë me fjalën”,- e mbylli gazetarja dhe moderatorja duke lënë të nënkuptuar se rikthimi do të jetë krejt tjetër nga profili me të cilin e kemi njohur deri tani.