AKTUALITET, 18 Gusht 2021, 16:48

Rrugë të kushtueshme me paratë e taksapaguesve, Tomorri: Asnjë transparencë për përcaktimin e kostove

Rrugë të kushtueshme me paratë e taksapaguesve, Tomorri:

ARRSH ka hapur garat për ndërtimin e pjesës së mbetur të Unazës së Madhe të Tiranës me një fond total prej 15.6 miliardë lekësh ose 129 milionë euro.

Në studion e lajmeve në MCN TV, gazetari i ekonomisë, Klodian Tomorri, tha se kostot e fryra për rrugët që ndërtohen me fonde nga buxheti janë bërë standard në Shqipëri.

Sipas tij, kostot deri në 20 milionë euro për km lënë vend për dyshime për abuzim, mbi të cilat autoritetet duhet të hetojnë. Kjo bëhet akoma më e qartë sipas Tomorrit nëse bën krahasimin me rrugët që ndërtohen me financime nga donatorët.

"Mesa duket ka një vendimmarrje për ta mbaruar më në fund Unazën e Madhe të Tiranës. Ndërtimi ka nisur në vitin 1996, janë 27 km rrugë dhe vazhdon ndërtimi prej 20 e ca vitesh. Duhej të kishte mbaruar sepse do ta lehtësonte shumë trafikun në Tiranë, por për shkak të burokracive, kjo vepër është zvarritur.

1 km - 20 milionë euro nuk është kosto normale dhe fatkeqësisht kjo është bërë gati standard për tenderat e rrugëve. Janë kosto të ekzagjeruara dhe është tregues i qartë. Në rastin e financimit me paratë e donatorëve, ka proces tjetër tenderimi. Veprat me donatorë kanë kosto disa herë më të ulët sesa ato me fondet nga buxheti. Në Shqipëri, standardi i kostos 20 milionë euro për km po kthehet në normalitet. Deri tani nuk ka asnjë përpjekje nga autoritetet për të parë nga burojnë këto kosto.

Para disk kohësh, një raport i BB thoshte se 300 milionë dollarë në vit humbasin për shkak të kostove të fryra të tenderave. Korrupsioni mund të kursente shumë para. Një segment 27 km ka shkuar 360 milionë euro dhe nuk dihet me sa do të përfundojë. E gjithë procedura e përcaktimit të fondeve limit është e dyshimtë", tha Tomori.