AKTUALITET, 27 Mars 2021, 11:44

Rreziqet dhe problemet me sondazhet për 25 prillin


Nga Edmond Çata

BESUESHMËRIA E SONDAZHEVE PËR ZGJEDHJET NË SHQIPËRI

Ka një muaj që votuesit po bombardohen me sondazhe, të cilat pretendojnë se po parashikojnë sot rezultatin e 25 prillit. Vetë mua më kanë “sonduar” 2-3 herë në telefon.

Sondazhet, me marzhe të ndryshme gabimi, raportojnë jo vetëm që deri 30% e njerëzve të pyetur refuzojnë të përgjigjen ose janë të pavendosur, por edhe rezultate të ndryshme. Disa nxjerrin Ramën fitues, disa të tjerë opozitën.

Ç’po ndodh? Cili është misioni i këtyre sondazheve? Çfarë kanë si objektiv? T’i shërbejnë së vërtetës? Votuesit shqiptarë? Reputacionit të kompanive që i bëjnë?

Apo t’u shërbejnë interesave të klientëve të tyre politikë? Cili është motori prapa shifrave që raportojnë? Të “gjejnë” sot, rezultatin e vërtetë të 25 prillit?

Apo në të vërtetë, po përpiqen të “gatuajnë” që sot rezultatin e 25 prillit? Çfarë duan t’u thonë votuesve shqiptarë? Gjendjen e vërtetë? Apo duan të krijojnë një psikozë zgjedhore të veçantë te votuesit shqiptarë? Ku ca të nxiten të votojnë sa më shumë e ca të tjerë të dekurajohen dhe të mos votojnë fare?

Shumica e votuesve mbase nuk u beson sondazheve. Dhe mbase votuesit as nuk do t’i mbajnë parasysh kur të votojnë realisht. Sepse deri më sot, sondazhet e bëra për zgjedhjet në Shqipëri kanë treguar se jo vetëm që nuk kanë parashikuar saktë rezultatet e zgjedhjeve, por edhe shpesh kanë qenë përdorur si instrument nga partia e radhës në pushtet.

Sot, Rama e di që nuk i ka më “1 milion shuplakat”; do të rrijë me çdo kusht Kryeministër; dhe e ka ngritur në art trushpëlarjen, manipulimin e fakteve dhe të gënjyerit sy në sy.

Në këto kushte, pra, shqetësimi për sondazhet për 25 prillin, nëse ato po favorizojnë, me apo pa dashje axhendën trushpëlarëse të Ramës, nuk është as i tepërt, as i pajustifikuar.

Dyshimet për një rol favorizues të sondazheve dhe instrumentalizimin e tyre, gjenden jo vetëm në rreziqet që bartin këto sondazhe për zgjedhjet e 25 prillit, por edhe për vetë problemet që ato shfaqin me pyetjet, përgjigjet dhe analizën e tyre.

RREZIQET E SONDAZHEVE PËR ZGJEDHJET

Zgjedhjet e 25 prillit nuk janë punë programesh. Janë një referendum pro apo kundër arrogancës së Ramës. Ndaj në kushtet kur sondazhet për zgjedhjet shqiptare nuk tregojnë një historik besueshmërie, ato paraqesin katër rreziqe.

“Profecia vetërealizuese”, është rreziku që sondazhet, më shumë se “parashikim sot” të rezultatit të 25 prillit, synojnë në fakt t’i mbushin mendjen votuesit se “rezultati sot”, do të ndodhë me siguri më 25 prill. Ky rrezik çon në dekurajimin e votuesit anti-Rama për të votuar, meqë Rama “e ka të sigurt fitoren”.

Rreziku i dytë, “konformizmi imponues”, është pranimi i sondazheve si të “vërtetë” pa vënë asnjëherë në dyshim nëse rezultatet e tyre janë korrekte apo problematike metodologjikisht. Ky rrezik vërtet nis nga padija dhe mungesa e përgatitjes metodologjike-shkencore e panelistëve për të analizuar sondazhet. Por tamamtamam, ky rrezik vjen më shumë nga synimi i disa panelistëve që t’i bindin votuesit se rezultatet e sondazheve janë “të vërteta”.

Rreziku i tretë, “manipulimi i psikikës së votuesit”, fillon me pranim e sondazheve si të “vërteta”, dhe vazhdon me bombardimin e votuesve me interpretime politikisht klienteliste të rezultateve. Ky rrezik krijon te votuesi idenë se ndryshimi nuk ka për të ndodhur në 25 prill.

Rreziku i katërt, “justifikimi i rezultatit”, është përdorimi i sondazheve para zgjedhore si alibi për të justifikuar pas zgjedhjeve vjedhjen e votave apo “doktorimin” e rezultateve.

Rreziku qëndron që sondazhet e sotme mund të përdoren më 26 prill nga hajdutët e votave dhe të zgjedhjeve për të fshehur vjedhjen dhe manipulimin e votave duke u justifikuar “epo… rezultati që morëm, a nuk ishte parashikuar edhe nga sondazhet?”!

REZULTATET E NDRYSHME TË SONDAZHEVE

Kredibiliteti i sondazheve varet nga mënyra e sondimit të realitetit dhe dinamikave politike, por edhe nga aftësia e tyre për të shpjeguar atë që ato “fotografojnë”. Këtu, pyetjet që dalin nuk kanë as radhë, as të sosur. Cili është shpjegimi pse sondazhet raportojnë rezultate të ndryshme, cila parti fiton zgjedhjet e 25 prillit?

Disa sondazhe nxjerrin fitues PS, disa nxjerrin PS dhe PD me mbështetje nën 50% dhe diferencë 1%-10% mes tyre. Përse sondazhet që nxjerrin PS fituese raportojnë nivele të ndryshme fitoreje të PS? Disa sondazhe e nxjerrin PS me 71+ mandate, ndërsa disa të tjerë e nxjerrin PS poshtë 71% dhe në nevojë për koalicion.

Përse sondazhet janë aq të ndryshëm në mbështetjen për LSI? Shumë sondazhe shpallin “rënie pikiatë” të mbështetjes për LSI, por disa i atashojnë LSI-së 1%, disa 5%, e disa 10%. Sondazhe që i “njohin” PD-së një “prirje” të rritjes së votës, pse nuk kanë asnjë përpjekje për të “matur” cili është faktori apo faktorët kontribuues në rritjen e mbështetjes për PD? Disa sondazhe shpallin për një rritje të mbështetjes për PD.

Por disa e “gjejnë” rritjen në nivel 1%-2%, të pamjaftueshëm për të mundur PS, disa e shpallin në nivel 3%-10%, mjaftueshëm jo vetëm për të vënë në dyshim fitoren e PS, por edhe kthyer PD në pushtet.

Të gjitha pyetjet më sipër të bëjnë të pyesësh: Sa kredibël janë sondazhet për 25 prillin dhe rezultatet e tyre? Nëse rezultatet që ato raportojnë janë aq të ndryshme, cila është arsyeja prapa diferencës së rezultateve? Kjo diferencë mes sondazheve në “fotografimin” e realitetit zgjedhor në Shqipëri, a mund të ketë lidhje dhe shpjegim me ndonjë motiv specifik e kompanive dhe tv prapa kryerjes së sondazheve?

Vetë kompanitë sondazhbërëse dhe TV, nga se udhëhiqen në këto sondazhe që zhvillojnë? Udhëhiqen nga interesi për të vërtetën dhe interesin e votuesit shqiptarë apo nga interesat të tjera të lidhura me partitë politike dhe lidershipin e tyre?

Cili është synimi i këtyre sondazheve? Është thjesht të “fotografojnë” sot rezultatin që mund të prodhojë nesër 25 prilli? Apo është të manipuluarit sot të psikikës së votuesit cili do të jetë rezultati “i sigurt” i zgjedhjeve në 26 prill?

Në një logjikë normale, nëse sondazhet do të fotografonin “korrekt” realitetin sot, ato nuk do të duhej të tregonin diferenca të rëndësishme në gjetjet e tyre.

Fakti që ato shfaqin diferenca në rezultatet që raportojnë, të bëjnë të mendosh dy gjëra: ose ato nuk matin korrekt realitetin, ose realiteti që ato përpiqen të na bindin se ekziston, në fakt është i ndryshëm nga ai që raportojnë sondazhet.

Kështu që diferencat në rezultatet që raportojnë sondazhet të bëjnë të ngresh pyetje jo vetëm për sondazhet dhe rezultatet e tyre, por edhe për vetë reputacionin e kompanive sondazhbërëse dhe TV që iu bëjnë jehonë.

Nëse reputacioni dhe kredibiliteti i një kompanie sondazhbërëse varet nga saktësia e parashikimit të rezultatit, çfarë mund të ndodhë me reputacionin e tyre nëse rezultatet në 26 prill nuk përputhen me ato të raportuara prej tyre para zgjedhjeve? A e mendojnë sot këto kompani, që nëse rezultatet që ato raportojnë sot nuk do të jenë të njëjta me ato në 26 prill, kjo gjë mund të “provojë” dyshimet për klientelizëm politik të tyre?/Panorama/