TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Uanda Nara, gruaja dhe njëkohësisht menaxherja e Mauro Ikardit, ka bërë mbrëmë një deklaratë të bujshme që nuk do t’u pëlqejë aspak tifozëve të Interit e aq më pak drejtuesve të klubit. E ftuar si zakonisht në emisionin “Tiki-Taka”, ajo ka zbuluar se klubi zikaltër kishte pasur një akord me Juventusin për transferimin e Ikardit dhe se vetëm dëshira e argjentinasit e kishte mbajtur në Milano.
“Interi ia kishte shitur Ikardin Juventusit, dëshironin ta dërgonin në Torino. Ishte Mauro ai që i tha ‘jo’. Juventusi më tha se Ikardi-Kristiano Ronaldo do të ishte dyshja e sulmit e bardhezinjve dhe që nuk do të blinin asnjë numër 9 tjetër. Në merkaton e fundit ishte me një këmbë jashtë, Juventusi për të më bindur më tha që do të formonte dyshen e sulmit me Ronaldon dhe në fund portugezi erdhi me të vërtetë në Torino”, ishte deklarata e bujshme e Uanda Nara që hedh poshtë të gjitha pretendimet e klubit zikaltër se Ikardi është i pashitshëm.
Përveç kësaj, partnerja e sulmuesit ka zbuluar se gjithashtu nuk ekziston asnjë akord për rinovimin mes palëve. “Jemi shumë larg dhe më bezdis gjithçka që është shkruar këto ditë. Ikardi nuk është një lojtar që duhet vënë në diskutim, duhet të rinovojë dhe pikë, nuk është çështje parash. Më mirë të mos flas për merkaton, më vjen të qesh kur dëgjoj se për të nuk ka kërkesa.
Prioriteti i tij është të qëndrojë, por nuk ekziston asnjë ofertë e Interit. Më kishin kontaktuar në mes të pjesëmarrjes në Ligën e Kampioneve por u thashë të prisnin sa të mbyllej grupi. Do të bëhet darka e Krishtlindjeve te Interi, do të më vrasin për këtë që po tregoj. Më mirë të marr ushqime me vete nga shtëpia”, tha ajo duke qeshur.