AKTUALITET, 30 Gusht 2018, 09:04

Rindizet konflikti / Ruçi shpall datën kur do rivotohet shembja e teatrit

Rindizet konflikti / Ruçi shpall datën kur do rivotohet shembja e

Kuvendi i Shqipërtisë ka publikuar të mërkurën kalendarin e punimeve për tre javët e para të shtatorit, midis të cilave bie në sy edhe caktimi i datës kur socialistët do të rivotojnë për shembjen e Teatrit Kombëtar. Po t’i hidhet një sy i shpejtë shkresës së shpërndarë nga kuvendi vihet re me lehtësi se data 19 shtator (faksimilja poshtë) do të votohet hedhja poshtë e ligjit të kthyer nga presidenti.

Në fund të korrikut Ilir Meta e kishte mbështetur në 3 shtylla kryesore kthimin mbrapsh të ligjit për shembjen e teatrit:

•Marrëveshja okulte Edi Rama – Shkëlqim Fusha për të ndërtuar kulla në mes të kryeqytetit shkel barazinë para ligjit dhe lirinë ekonomike. Pra, nëse kryeministri ka një truall për të nxjerrë në treg, ai nuk mund t’a bëjë këtë pa garë dhe tender.

•Shembja e Teatrit Kombëtar nuk respekton konventat për trashigiminë kulturore që ka nënshkruar Shqipëria dhe parimet e mbrojtjes së kësaj trashëgimie.

•Rrëmbimi i një trualli që i përket qytetarëve të Tiranës pa kaluar sipas ligjit në Këshillin Bashkiak, ku shumica i mungon socialistëve, është cënim i decentralizimit dhe legjislacionit për autonominë vendore

Duke përmendur përkrah tyre dhe problemet që ky ligj special hap me marrëveshjet e nënshkruara me BE, si dhe me pronat e privatëve në zonën ku do të ngrihen 6 grataçielat, presidenti bënte ftesë për reflektim, aq më tepër që ky akt po bëhej në mungesë të Gjykatës Kushtetuese.

Por me gjithë ftesën për reflektim të Metës, me gjithë refuzimin e ish kryeministrit Majko për të votuar, me gjithë prononcimin e një sërë institucionesh prestigjioze për mbrojtjen e trashigimisë, Edi Rama duket se do t’i shkojë deri në fund kokfortësisë së tij.

Dhe jo më kot: në lojë janë jo më pak se 200 milionë euro. Jo më kot në sipërfaqen prej 6200 metrash, ku do të ngrihen 6 kullat, shfrytëzimi i tokës do të jetë më i larti në Tiranë 63.47%. Jo më kot edhe intensiteti i ndërtimit nga 5.5 që e parashikon maksimalja e kryeqytetit në rastin e kullave të Fushës do të jetë 6.6. Pra gjithçka është planifikuar që klienti i Ramës që deri më tani ka marrë 80 milionë euro para publike nga tenderat dhe prokurimet të fitojë maksimalisht edhe nga trualli përreth teatrit.

Për të gjitha këto, aktivistët për mbrojtjen e teatrit dhe opozita kanë shpallur një betejë dhëmbë për dhëmbë për ndalimin e kësaj vjedhjeje ditën për diell. Akti i saj i parë do të jetë në 19 shtator. Ditën kur Gramoz Ruçi ka dërguar në kuvend rrëzimin e dekretit të Metës.