TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Gjyqtari Ledi Bianku ia ka referuar Gjykatës së Strasburgut si “të papërshtatshme” kërkesën e Denar Bibës në takimin që ata kanë pasur në vitin 2014. Këtë qëndrim, Bianku ia ka shprehur menjëherë pas takimit të ndodhur në një kafene në Strasburg, presidentit të Gjykatës, Dean Spielman.
E pohon këtë vetë gjykata, ne një sqarim për Tv Klan, teksa jep detaje për takimin dhe për natyrën e kërkesës së nënkryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, sipas pretendimeve të gjyqtarit Bianku.
“Në vitin 2014, një zyrtar i afërt me Qeverinë Shqiptare (z. Denar Biba) kontaktoi z. Ledi Bianku, gjyqtar për Shqipërinë, duke kërkuar që Gjykata të shtyjë shqyrtimin e çështjeve në lidhje me kthimin e pronës. Gjykatësi Bianku i tregoi këtij personi se një qëndrim i tillë ishte i papërshtatshëm dhe menjëherë informoi Dean Spielmann, President i Gjykatës Evropiane në atë kohë. Ai më pas e njoftoi Presidentin aktual të Gjykatës, Guido Raimondi, sapo ai u zgjodh në detyrë” – thuhet në reagimin e gjykatës.
Megjithatë, gjykata e Strasburgut thotë se ky episod nuk ndikoi ne vendimin përfundimtar për ta pranuar kërkesën e delegacionit shqiptar për të shtyrë shqyrtimin e çështjeve për kthimin dhe kompensimin e pronave.
Në vitin 2014, në të njëjtën ditë të takimit Bianku – Biba, kërkesa u refuzua për arsye se vendimin s’mund ta merrte presidenti i gjykatës, por u pranua në vitin 2016 nga Dhoma relevante e saj.
“Kërkesa zyrtare për shtyrjen e rasteve në lidhje me kthimin e pronës është bërë në të njëjtën datë në një takim midis autoriteteve të Gjykatës Evropiane dhe autoriteteve shqiptare. Kjo kërkesë mori të njëjtin refuzim të plotë. Në veçanti, çdo vendim i tillë ka qenë në kompetencë e Dhomës, tek e cila rastet ishin në pritje të shqyrtimit dhe nuk mund të merreshin nga Presidenti i Gjykatës. Për më tepër një kërkesë e tillë mund të shqyrtohej vetëm në përputhje me rregullat normale procedurale.
Më pas, në vitin 2016, Dhoma relevante e Gjykatës vendosi të shtyjë shqyrtimin e këtyre rasteve. Megjithatë, kjo shtyrje nuk ka lidhje me ngjarjet e vitit 2014. Gjykatësi Bianku nuk mori pjesë në këtë vendim, sepse ai ishte tërhequr nga këto raste” – thuhet në reagimin e gjykatës së StTrazburgut.
Teksa thekson se takimi Bianku – Biba nuk pati lidhje me vendimet e saj, gjykata e Strasburgu sqaron gjithashtu se të gjitha vendimet për rastet merren në një formë gjyqësore dhe në përputhje me procedurën e përcaktuar në Rregulloren e Gjykatës.