TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Rrëzimi i disa pemëve nga punimet që po bëhen në rehabilitimin e parkut Rinia zemëroi shumë qytetarë ditën e dielë.
Fotot e dy-tre pemëve pisha dhe eukalipti të rrëzuara përdhe u qarkulluan vrullshëm në rrjetet sociale.
Kjo është hera e parë që në parkun Rinia fotografohen dëmtime të pemëve prej projektit që u propagandua se do të bënte të kundërtën, do t’ia përmirësonte gjendjen dhe gjelbërimin.
Që prej muajit korrik zona është e rrethuar dhe qytetarët nuk kanë patur akses në të. Aty punohet për një projekt rehabilitues, i cili betonizon një pjesë të konsiderueshme të parkut duke krijuar relieve dhe sheshe.
Urbanizimi i parkut u denoncua që në prill të vitit të shkuar, ndërsa projekti u bë publik vetëm në gusht të 2018-ës, nga një studio që e kishte punuar atë.
Parku Rinia u konceptua në vitet ’30 nga arkitektët italianë Armando Brasini dhe Florestano Di Fausto, por ideja e tyre u tjetërsua gjatë regjimit komunist.
Më 1949-ën, për 5-vjetorin e çlirimit të vendit, zona u mboll me pemë nga nxënës të shkollave të Tiranës, gjë për të cilën u quajt më pas edhe “Parku Rinia”.
Në vitet ’90 ky park u zu me kioska dhe ndërtime pa leje, të cilat u prishën në vitin 2001 nga një vendim i qeverisë së asaj kohe.
Prej rreth 20 vitesh, Parku Rinia nuk ka patur ndryshime pozitive për sa i përket gjelbërimit. Ndërkohë shumëkush e ka parë atë si mundësi për biznes duke kërkuar dhe përfituar edhe koncesion parkingu nëntokësor.
Në fakt projekti aktual i rehabilitimit po bëhet përpara ndërtimit të këtij parkingu, i cili u dha me koncesion në vitin 2015 nga kryebashkiaku Erion Veliaj./ Gerard Gega - Exit.al/