AKTUALITET, 7 Shtator 2018, 18:23

Referendumi, OBRIE: Shqiptarët në Maqedoni duhet kenë status shtet-formues

Referendumi, OBRIE: Shqiptarët në Maqedoni duhet kenë status

Organizata për Bashkëpunim Rajonal dhe Integrime Evropiane (OBRIE) është shprehur pro referendumit që do të zhvillohet në Maqedoni për marrëveshjen me Greqinë, për çështjen e emrit.

OBRIE vlerëson se me kalimin e referendumit do të hapet perspektiva euro-atlantike për qytetarët e Maqedonisë. Kjo organizatë thekson rëndësinë e periudhës kohore pas referendumit, ku pritet të hapet procesi i ndryshimeve kushtetuese.

“Është koha dhe momenti i fundit që Kushtetuta e Maqedonisë të garantoj një shtet demokratik, i cili respekton të gjitha të drejtat e qytetarëve, pa dallim përkatësie etnike apo religjioze. Me ndryshimet kushtetuese duhet të rregullohet edhe statusi i shqiptarëve, të cilët përbëjnë rreth 30 për qind të popullsisë dhe që kontribuojnë fuqishëm në buxhetin e shtetit”, thekson në reagimin e OBRIE.

Kjo organizatë kërkon që partitë shqiptare me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare të kërkojnë definimin e qartë të popullin shqiptarë dhe gjuhës shqipe në Kushtetutën e vendit, shkruan “Ina”.

“Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë duhet të përcaktojë se gjuha maqedonase me alfabetin cirilik dhe gjuha shqipe me alfabetin e saj, janë gjuhë zyrtare në Republikën e Maqedonisë. Gjithashtu simbolet shtetërore duhet të reflektojnë multietnicitetin shoqëror dhe barazinë etnike”.

Sakaq, kërkohet që gjatë plotësimin dhe përmirësimit të aktit më të lartë juridik të sigurohet barazi sociale dhe ekonomike për të gjitha komunitetet në vend.

OBRIE kërkon që me hapjen e Kushtetutës për ndryshimin e emrit të iniciohen edhe ndryshime të tjera për avansimin e statusit juridiko-kushtetues të shqiptarëve në Maqedoni.