SPORT, 9 Maj 2021, 23:25

Reali nuk merr dot kreun, por Asensio dhe Hazard e mbajnë në garë për titullin!

Reali nuk merr dot kreun, por Asensio dhe Hazard e mbajnë në garë

Reali i Madridit nuk përfitoi nga barazimi i Atletico Madrid ndaj Barcelonës për të marrë kreun e La Ligas pasi nuk shkoi më shumë se një barazim 2-2 ndaj Sevillas në Alfredo Di Stefano.

Sevilla ishte shumë afër fitores dhe mund të rindizte disa shpresa të vogla në garën për titull në rast suksesi, por andaluzianët u ndëshkuan nga një gol i Eden Hazard në minutën e 94-t, gol që mban ende në lojë Realin pasi e ngjiti në vendin e 2-të, 3 javë para fundit të La Ligas.

Sfida nisi me një gol të anuluar për Benzema, për një pozicion të Odriozolas në minutën e 12-të. 10 minuta më vonë Sevilla kaloi në epërsi me Fernandon i shërbyer nga Rakitic.

Los Blancos arritën të reagonin vetëm në pjesën e dytë me Lucas Asension që barazoi shifrat në minutën e 67, por vetëm 10 minuta më pas erdhi edhe sërish goditja e Sevillas, që kaloi në epërsi me një finalizim të Rakitic nga pika e bardhë e penalltisë, gol që u duk sikur i dha 3 pikët skuadrës së Lopeteguit por jo, pasi në fund Hazard doli nga tuneli ku ishte futur prej shumë kohësh duke realizuar një gol të rëndësishëm që i dha një pikë Realit dhe e mbajti në garën për titull.