SPORT, 24 Qershor 2019, 11:00

Real Madrid nxjer në merkato yjet,ja sa miliona euro mund të fitojë


Reali i Madridit është kthyer i frikshëm në merkato, sepse këtë verë ka shpenzuar mbi 300 milionë euro për përforcime, por tashmë i duhet të shesë urgjentisht, për të mos shkelur rregulloren e Fair Play Financiar.

Marca ka përpiluar një formacion me gjithë lojtarët që pritet të largohen, si dhe shifrën që shpreson të arkëtojë Reali për secilin prej tyre.

Emri më i spikatur i këtij formacioni është Dani Ceballos, i cili në vitin 2015 mahniti duke fituar Kampionatin Europian U19 me Spanjën, ndërsa dy vite më vonë ishte lojtari më i mirë i Kampionatit Europian U21.

Tani mesfushori ka shkëlqyer në Kampionatin Europian U21 që po zhvillohet në Itali, por te Reali nuk ka vend për të, sepse Zidane nuk e llogarit fare. Për këtë arsye, edhe vetë Ceballos ka kërkuar largimin, ndërsa Reali duhet të vendosë: ta shesë në Angli, sepse i duhen para, apo ta huazojë te Milani apo Sevilla, duke e ditur se bëhet fjalë për një futbollist që mund të rritet ndjeshëm për një apo dy vite?

Keylor Navas ka kërkuar largimin, Nacho e Vallejo janë gjithashtu të panevojshëm dhe Reali shpreson të arkëtojë rreth 50 milionë euro në total për të tre. Theo Hernandez ka biseduar me Paolo Maldinin dhe mund të huazohet te Milani, pasi është ende shumë i ri dhe vlera e tij në treg do të rritej nga një sezon i mirë në Serinë A.

Isco e Lucas janë lojtarë të cilët ka kohë që përfliten për largim, por Zidane kërkon alternativa edhe për stolin dhe duhet parë sa e pranon një rol të tillë Isco, i cili sezonin e shkuar u kthye në armik për tifozët. Për 70-80 milionë euro Reali e lë të lirë, por asnjë klub nuk është afruar për momentin. Edhe Kovacic ka pak shanse të pranojë kthimin në Madrid për të qëndruar në stol.

Ndryshe nga Isco e Lucas, Zidane nuk i llogarit fare pjesë të ekipit uellsianin Gareth Bale dhe kolumbianin James. Pikërisht këta të dy janë lojtarë që do të mbushnin arkën e Realit, por duhet durim, sepse edhe klubet që i duan këta lojtarë e dinë që Reali kërkon t'i largojë urgjentisht. Bale nuk vlen më shumë se 80 milionë euro në këtë moment, ndërsa James vlen diku te 40 milionët.

Ndërkaq, Mariano ka dështuar në Madrid dhe në sulm nuk ka vend për të, pas blerjeve të kësaj vere. Braziliani, ashtu si De Tomas, janë në shitje.