AKTUALITET, 10 Mars 2020, 18:53

Rama sulmon Bashën: Ndërro maskën dhe orën, vare fyellin në mur dhe mos bëj politikë!

Pas postimit të kreut të opozitës Lulzim Basha në rrjetet sociale, vjene dhe reagimi i kryeministrit Edi Rama.

Shefi i qeverisë, po përmes një postimi në rrjetet sociale, ndërsa i drejtohet Bashës, duke i thënë se është faj dhe krim të nxisësh panik me të pavërteta.

“Lulzim Basha ndërroje maskën dhe orën, se kjo është një orë e rëndë për Shqipërinë dhe nuk je as ti, as partia jote halli i këtij populli sot, e s’ta ka borxh askush të të shpjegojë tre herë në ditë që s’është gabim, po është faj në mos krim të nxisësh panik me të pavërteta!

Nëse ty s’të duket luftë kjo e njeriut me virusin e panjohur, quaje gjendje e jashtëzakonshme a si të duash! Po vare të paktën atë fyell në mur e kurseja Shqipërisë avazin politik,se s’është koha për politikë kjo, po ora për t’i shërbyer popullit me forcën e shembullit njerëzor!”, shkruan Rama në Twitter.

Më herët Basha dhe PD akuzuan qeverinë se kishte shpërndarë 1.2 milionë maska mbrojtëse të skaduara, fakt ky që u pranua edhe nga vetë Rama gjatë mbledhjes së qeverisë, sipas të cilit, kjo gjë nuk i bën të rrezikshme.