AKTUALITET, 10 Mars 2020, 17:23

Trafikonin kokainë në vende të ndryshme të Europës, shqiptarët paraqiten para gjyqit italian


Kanë dalë para gjykatës shqiptarët, përgjegjës të dyshuar për trafikim të kokainës në vende të ndryshme të Europës, nga Shqipëria, më tej në Itali dhe Belgjikë.

Kështu, para gjyqit italian kanë dalë shqiptarët Armand Cuni, Mario Kelmendi, Fatjan Sopi dhe Rudenc Medolli disa kohë pasi ata u kapën në flagrancë duke transportuar lëndën narkotike. Në këtë seancë u lexuan akuzat, ndërsa gjyqi do të vazhdojë gjatë verës.

Shefi i bandës së kokainës konsiderohet Armand Cuni, ndërsa pjesëtarë cilësohen shtetasit Mario Kelmendi, Fatjan Sopi dhe Rudenc Medolli. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, atyre do iu ulet një e treta e dënimit. Kjo sepse të akuzuarit kanë pranuar fajin.

Grupi, për muaj të tërë ishte nën vëzhgimin e Drejtorisë së Qarkut Antimafia të Romës, ndërsa anëtarët u arrestuan në agimin e 13 qershorit nga karabinierët: dymbëdhjetë vetë përfunduan në pranga. Shtatë prej tyre u futën në burg, kurse për të tjerët u dha masa e qëndrimit në arrest shtëpie. Nëntë muaj pas arrestimit, 4 prej tyre janë duke u gjykuar në Gjykatën e Romës.

Sipas akt-akuzës, grupimi funksiononte mirëfilli i mirë-organizuar, ndërsa trafikimi i drogës bëhej nga Shqipëria, Toskana e më tej drejt Belgjikës. Lënda narkotike ishte paketuar më së miri në doza dhe ishte fshehur mjaft mirë në doza, për t’u shitur për përdoruesit. Lënda narkotike shpërndahej në zona të ndryshme të Italisë, duke u treguar nëpër sheshe, fshehurazi.