TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Kryeministri Edi Rama, ka vendosur të shkojë ditën e nesërme në emisionin "Çim Peka Live", në Syri TV, një televizion i ri në treg, por me audiencë të lartë veçanërisht në rrjetet sociale. Ky televizion, në vazhdën e portalit me të njëjtin emër, është mjaft kritik me qeverinë.
Por, duket se vizita e Ramës në këtë televizion, nuk shihet si një ngjarje pozitive në kampin e mazhorancës.
Kjo dalje e Ramës, ka shkakatur reagimin e ashpër të gazetarit Mero Baze, i cili analizon vendimin e kryeministrit, duke e sulmuar televizionin edhe për liket dhe ndjekësit që ka.
"Nesër në mbrëmje për shembull, do të jetë mysafir tek një televizion i ri, që blen “like” në Azi dhe Kinë që të duket i shikuar, ndërkohë që normalisht ka 300 shikues ne transmetim direkt online, dhe që është investim direkt i familjes Berisha, me zyra të përkohëshme në pallatin e familjes Meta. Redaksia është dukshëm një lavatriçe e parave të korrupsionit të Berishës dhe Metës, por Rama e ka përzgjedhur ta legjitimojë si televizion normal, pasi me sa duket i duhet përballë Meta e Berisha", shkruan Baze.
Madje gazetari shkon aq larg, sa të deklarojë se shumë njerëz mendojnë, që televizionit të Pekës, duhet t'i bënte një vizitë OFL-ja.
"Edi Rama ka qetësinë dhe cinizmin e duhur për t’u dukur i moderuar dhe për t’i “përfillur”, duke e ditur shumë mire çfarë janë. Dhe kur të gjithë mendojmë që po e bën si “qokë” për një medie kritike, në fakt po e bën për të rritur peshën e armiqve të tij të dobishëm në skenën politike, “armiqtë” që janë dhe koletarali më i mirë që i siguron atij fitoren. Natyrisht, duke i dëshpëruar njerëzit që mendojnë se ai do t’u çonte mediave të tilla OFL-në, apo do hetonte origjinën e parave të tyre", shkruan Baze.
Intervista e Çim Pekës me Edi Ramën, e cila duket se ka shkaktuar polemike pa u zhvilluar ende, do të transmetohet nesër në mbrëmje, në orën 20:45, dhe mund ta ndiqni live në Syri Tv dhe Syri.net, me siguri edhe në ERTV-në e Edi Ramës.
/TPZ.al/