TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se dhuna e regjistruar gjatë protestave të ditëve të fundit është shkaktuar nga persona të radikalizuar nga ANTIFA, nga ekstremizmi fetar dhe nga krimi i organizuar.
Komentet Rama i bëri gjatë një konference për mediat, ku theksoi se aktet e dhunës nuk janë kryer nga masa më e madhe e protestuesve, por nga grupe të caktuara personash.
Kreu i qeverisë përsëriti gjithashtu ftesën për dialog, duke nënvizuar se protestat në të gjithë botën organizohen për të përcjellë kërkesat e qytetarëve dhe për t'u dëgjuar nga qeveria, e jo për të përmbysur pushtetin përmes dhunës.
“Ne jemi duke punuar intensivisht për të adresuar të dy anët e kësaj medaljeje. Jemi shumë të vëmendshëm në raport me arsyet reale dhe me shkaqet që bëjnë shumëkënd përtej faktit që votojnë apo nuk votojnë për mua, që të ndjejnë nevojën për të protestuar, përsa kohë që janë të distancuar nga dhuna. Ai terror urban u shkaktua jo nga një masë e madhe njerëzish por nga njerëz të radikalizuar nga ANTIFA, të radikaluzuar fetarë dhe të radikaluzuar nga krimi për të ushtruar dhunë. Rruga e protestës paqësore është rruga që çon te dialogu.
Dje kam pasur një bisedë miqësore telefonike me një pedagog të Mjekësisë, i njohur për qëndrimet e tij në anën tjetër të spektrit politik. I thashë që një protestë bëhet për t’u dëgjuar. Për t’u ulur në tryezë. Nuk bëhet për të përmbysur qeverinë apo shumicën qeverisëse me dhunë. Natyrisht kur kjo protestë nuk është protestë e një partie politike, por e një segmenti qytetar. E pyeta se përse është bërë pjesë e atij grupi. Arsyet që më tha ishin të gjitha gjëra që lidheshin me arsye krejt specifike e legjitime. Unë i thashë ne ulemi dhe e diskutojmë. Pra një protestë bëhet kur Qeveria nuk është e gatshme të dëgjojë, në të kundërt këmbëngulja në protestë është pa sens. Dhuna është një krim i ndëshkueshëm. Kjo është edhe arsyeja pse ne jemi duke punuar në të gjitha drejtimet”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se qeveria po punon për të adresuar arsyet që i shtyjnë qytetarët të protestojnë, ndërsa e cilësoi dhunën si vepër penale që duhet të ndëshkohet.
Në të njëjtën kohë, ai ritheksoi se mbetet i gatshëm për dialog me qytetarët që kanë shqetësime dhe kërkesa konkrete, duke argumentuar se protesta paqësore është rruga për të arritur te tryeza e bisedimeve.