AKTUALITET, 24 Janar 2020, 15:20

PS ‘lëshon’ kryebashkiakun e Bulqizës: Të qënit përdorues droge, nuk përshtatet me funksionin publik

PS ‘lëshon’ kryebashkiakun e Bulqizës: Të qënit

Pas Ulsi Manjës një ditë më parë, një tjetër zyrtar i mazhorancës ka folur sot për videon ku shihet kryebashkiaku i Bulqizës duke pirë kokainë. Ermonela Felaj është distancuar nga Lefter Alla dhe ka thënë se sjellja e tij është e papranueshme për funksionin që ai ushtron.

“Më vjen mirë që ka reagim shoqëror. Sjellje të tilla janë të papranueshme për shoqërinë, për cdo lloj funksionari. Nëse dikush thyen rregullat e punës dhe etikën, sigurisht që nuk meriton më ta ushtrojë këtë funksion. Të qënit përdorues nuk përshtatet me detyrë e një funksionari publik kushdo qoftë ai”, tha deputetja e PS-së.

Duket se Partia Socialiste e ka lëshuar tashmë kryebashkiakun e Bulqizës. Askush deri më tani s’ka dalë në mbrotje të tij, por ditë pas dite ka reagime që e dënojnë sjelljen e tij. Një ditë më parë Lefter Alla u thirr nga SPAK për t’u marrë në pyetje lidhur me videon e denoncuar nga gazetari Artan Hoxha. Ndërkohë sot pati raportime në media se SPAK ka kërkuar që kryebashkiakut të Bulqizës t’i bëhet testi i drogës.