AKTUALITET, 14 October 2026, 21:29

Protestuesit shkatërruan Ministrinë e Drejtësisë, reagon Toni Gogu: Dëmin më të rëndë nuk e pëson qeveria  

Protestuesit shkatërruan Ministrinë e Drejtësisë, reagon

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka reaguar pas sulmit dhe djegies ndaj Ministrisë së Drejtësisë gjatë protestës së dhunshme të zhvilluar këtë të mërkurë në Tiranë.

Ai bëri të ditur se fatmirësisht asnjë punonjës nuk është lënduar, ndërsa falënderoi zjarrfikësit dhe Policinë për ndërhyrjen.

Gogu theksoi se dëmi më i madh nga djegia e zyrës së ndihmës juridike falas u shkaktohet qytetarëve në nevojë, të cilët mbështeten te ky shërbim për mbrojtjen e të drejtave të tyre.

Ministri garantoi se shërbimi do të vijojë normalisht, pavarësisht dëmeve të shkaktuara, dhe se zyra do të rindërtohet.

“Fatmirësisht, asnjë punonjës nuk është lënduar. Falënderoj zjarrfikësit dhe punonjësit e Policisë që ndërhynë për të mbrojtur jetën e njerëzve dhe për të kufizuar dëmet.

Në atë zyrë vijnë njerëz që nuk kanë mundësi të paguajnë një avokat. Pensionistë, nëna të vetme, të rinj, viktima të dhunës. Njerëz që kërkojnë ndihmë për të mbrojtur të drejtat e tyre.

Dëmin më të rëndë nuk e pëson qeveria. E pësojnë njerëzit që kanë më shumë nevojë për ndihmë.

Djegia e një zyre publike nuk është ushtrim i së drejtës së protestës. Përgjegjësitë individuale u takon t’i përcaktojnë organet kompetente, sipas ligjit.

Por dua të jem po aq i qartë për diçka tjetër. Të rinjtë kanë të drejtë të protestojnë, të ngrenë zërin dhe të kërkojnë përgjigje për arsimin, punën dhe të ardhmen e tyre. Ata nuk mund dhe nuk duhet të identifikohen me personat që po përdorin dhunë.

Nesër, ndihma juridike falas do të vazhdojë. Qytetarët do të mund ta marrin shërbimin te Hyrja e Ministrisë së Drejtësisë /  0800 10 10. Zyrën do ta rindërtojmë. Shërbimi nuk ndalet”, shkruan ministri.