AKTUALITET, 30 Nëntor 2019, 10:11

Prokuroria nis verifikim për prishjen e pallateve nga tërmeti. Ja çfarë dokumentacioni do administrohet

Prokuroria nis verifikim për prishjen e pallateve nga tërmeti. Ja


Pas pasojave tragjike të tërmetit të 26 nëntorit, Prokuroria e Durrësit ka nisur verifikimet.

Lajmi konfirmohet nga burime të sigurta, ndërsa bëhet e ditur se tashmë ka nisur procesi i administrimit të dokumentacionit të ndërtesave të shkatërruara totalisht, e që morën dhjetëra jetë njerëzish.

Pretendimet për ndërtime në vende të papërshtatshme, të pasigurta dhe pa kushtet e nevojshme të sigurisë, do të verifikohen për të parë nëse ka shkelje dhe persona që do të duhet të mbajnë përgjegjësi penale.

Një burim zyrtar i tha gazetës “Panorama” se verifikimet janë në proces dhe gjatë ditës së hënë do të ketë veprime konkrete. Edhe për prishjen e pallateve në Thumanë, pritet të nis një verifikim nga Prokuroria, por lajmi ende nuk është konfirmuar.

PRETENDIMET

Më herët, specialist të ndryshëm dhe persona të prekur nga tërmeti kanë ngritur pretendime se ndërtimet në Durrës nuk kanë qenë cilësore dhe për këtë, pasojat ishin edhe më të rënda.

Nga ana tjetër, 3 pallatet e shkatërruara në Thumanë të Krujës, ishin të vjetër dhe dëshmi nga fshati flasin se ato janë shpallur të pabanueshme që me tërmetin e shtatorit të këtij viti, por sërish qytetarët vazhdonin të jetonin. Njëjtë si këto pallate në Thumanë janë edhe disa të tjera, që janë të vjetra dhe kanë marrë dëmtime në dukje të parikuperueshme. Edhe për sizmologun grek, Efthymios Lekkas, dëmtimet i duhen atribuuar vetë ndërtimeve.

RËRA E DURRËSIT

Në lidhje me ndërtimet në zonën e Durrësit, ka folur edhe profesoresha e njohur e Inxhinierisë së Ndërtimit, Luljeta Bozo. Kjo e fundit, në një intervistë në “News 24”, tha se në rërën e Durrësit ka problem me bazamentin dhe prandaj para 1990 ka pasur pak ndërtime.

“Rëra e plazhit të Durrësit ka një problem dhe prandaj nuk është ndërtuar për vite e vite me radhë e para ‘90-ës kishte shumë pak ndërtime. Ato kanë një karakteristikë. Kanë probleme me bazamentin dhe Durrësi preket shumë, është shkatërruar tri herë nga tërmetet.

Bazamentet në Durrës janë problematike, pasi sa të gërmosh del ujë dhe në rast tërmetesh, ato prishin strukturën, dheu kthehet në masë viskoze, në atë që njihet si lëngëzim. Ky studim është bërë pas tërmetit të vitit 1979.

Çarja tektonike që fillon nga Mali i Zi e përfundon në Greqi ka në vijën e saj Shkodrën, Durrësin e Vlorën.

Nga Shkëmbi i Kavajës e deri në Golem, rëra ka aftësinë të lëngëzohet nga 1.5 deri në 2.5 metra. Në breg të detit nuk ndërtohet, për më tepër siç kanë ndërtuar këta godina mbi 6 apo 7 kate.

Edhe nëse ato kanë themele të forta poshtë zonës së lëngëzimit, erozioni mund të shkatërrojë strukturën e poshtme, duke i nxjerrë jashtë përdorimit”, tha Bozo.