TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Aristoteles Romero konsiderohet si një nga futbollistët më cilësorë në Kategorinë Superiore,por venezueliani nuk ka arritur të diktojë në radhët e Partizanit, pasi në 10 ndeshje ka luajtur vetëm 528 minuta.
24-vjeçari shquhet edhe për lojën e ashpër, gjë të cilën e ka treguar në ndeshje, duke qenë kampion i kartonëve të verdhë te “demat”, por edhe në stërvitje.
Partizani ia ka plotësuar të gjitha “salltanetet” lojtarit, pasi i paguan afro 1 mijë euro qira shtëpie, në një nga zonat më të shtrenjta të kryeqytetit. Në javët e fundit Romero nuk ka qenë shumë aktiv në fushë, por kjo nuk e ka penguar qejfliun që të organizojë festa në çdo orë në shtëpinë e tij.
Mesfushori i Partizanit është kthyer në një makth për banorët e pallatit ku ai jeton, pasi festat e organizuara prej tij janë të zhurmshme dhe muzika e lartë nuk ndalet deri në orët e para të mëngjeseve.
“Panorama Sport” mëson se banorët janë ankuar për sjelljen e lojtarit jo vetëm tek administratori i pallatit, por edhe në polici. Romero sa herë është ballafaquar me administratorin apo policinë, mësohet se ka kërkuar falje dhe u ka premtuar se nuk do ta përsërisë më, por ai sërish ka vazhduar.
Shpeshherë banorët e nervozuar kanë trokitur në derën e shtëpisë së lojtarit, i cili nuk i lë të flenë, por nga zhurmat e larta ai nuk i dëgjon.
Në një rast, kur ka pasur ankesë nga banorët në mesditë, policia ka shkuar te shtëpia e venezuelianit. Justifikimi i lojtarit ndaj uniformave blu ka qenë qesharak: “Po pastroja shtëpinë dhe po dëgjoja muzikë, por ngaqë kisha lënë hapur dritaret është dëgjuar muzika”.