AKTUALITET, 29 Janar 2019, 23:11

Prokurori i Maqedonisë: Shqipëria ka fshirë pamjet e arratisjes së Gruevskit

Prokurori i Maqedonisë: Shqipëria ka fshirë pamjet e arratisjes

Shqipëria nuk i ka dorëzuar Maqedonisë regjistrimet nga kamerat e sigurisë mbi arratisjen e ish-kryeministrit maqedonas, Nikolla Gruevski me arsyetimin se janë fshirë. Kjo u bë e ditur nga prokurori shtetëror i Maqedonisë, Lubomir Jolevski.

Ai ka sqaruar para gazetarëve se, regjistrimet nuk janë fshirë qëllimisht, por sistemi i mbikëqyrjes nga ana e Shqipërisë, në mënyrë automatike i ka larguar nga sistemi regjistrimet e vjetra.

“Nuk janë fshirë qëllimisht nga shërbimet kufitare shqiptare. Ka disa momente në shpjegimin e tyre. Një gjë është se të dhënat janë të shumta në kamerat e sigurisë dhe se sistemi nuk mund t’i ruajë për një kohë të gjatë. Nuk i kanë fshirë, por ato pajisje punojnë në mënyrë automatike”, citohet Jolevski nga “REL“.

Pas kësaj, mbetet dilema se cilën rrugë ka përshkruar ish-kryeministri maqedonas, i cili ka ikur nga Maqedonia më 9 nëntor të vitit të kaluar. Prokuroria është duke hetuar disa regjistrime që ka siguruar nga Mali i Zi, por është duke grumbulluar edhe prova tjera.

Ish-kryeministri Gruevski ka fituar azil politik në Hungari. Kundër tij është lëshuar flet-arrest ndërkombëtar.

Gruevski është dënuar me dy vjet burg për shpërdorim të detyrës zyrtare në rastin e blerjes së një makine zyrtare të blinduar në vlerë prej afro 600 mijë euro. Kundër tij janë duke u zhvilluar edhe të paktën katër procese tjera gjyqësore.

Në disa publikime në rrjetin social Facebook, pas arratisjes, Gruevski ka akuzuar pushtetin për ndjekje politike.