AKTUALITET, 26 Nëntor 2019, 18:38

Presidenti Macron mesazh në gjuhën shqipe: Solidarizohemi me ju, po dërgojmë ekipe shpëtimi!

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka shprehur solidaritetin me viktimat e tërmetit në Shqipëri. Me anë të një statusi në rrjetet sociale në gjuhën shqipe, Macron shprehet se Franca ka dërguar ekipe shpëtimi, për të ndihmuar vendin tonë në këtë moment tragjik.

"Shpreh afërsinë me viktimat e tërmetit që goditi vendin tuaj, me familjet në zi si dhe me personat e dëmtuar. Franca është sot solidare me Shqipërinë. Ne po dërgojmë menjëherë ekipe të sigurisë civile, së shpejti edhe specialistë të forcave zjarrfikëse, me qëllim që të marrin pjesë në operacionet e shpëtimit", shkruan Macron.

Tërmeti i fuqishëm me magnitudë 6.3 të shkallës rihter, ka shkaktuar dhjetëra të vdekur dhe qindra të plagosur në Shqipëri. Ende vijojnë operacionet e shpëtimit dhe mendohet se akoma ka qytetarë nën rrënoja.