AKTUALITET, 21 Mars 2020, 16:20

Preket nga Covid-19 dhe ekonomia e Eurozonës/ BQE jep 750 miliardë euro për të gjitha bizneset e prekura

Preket nga Covid-19 dhe ekonomia e Eurozonës/ BQE jep 750 miliardë

Banka Qendrore Europiane (BQE - ECB) ka dhënë 750 miliardë euro për të qetësuar tregjet dhe për të ndihmuar ekonominë e Eurozonës gjatë pandemisë së koronavirusit.

Sipas paketës së emergjencës, Banka do të paguaj borxhin e qeverive dhe kompanive në të gjithë Eurozonën, përfshirë edhe Greqinë dhe Italinë. Tregjet e aksioneve kanë pësuar një lëkundje të jashtëzakonshme në këtë kohë kur koronavirusi ka mbërthur botën

Kjo paketë është shumë herë më e madhe se ajo që BQE lançoi javën e kaluar, një fond prej 120 miliardë euro.

“Kohët e jashtëzakonshme kërkojnë veprime të jashtëzakonshme. Nuk ka kufij në angazhimin tonë ndaj euros. Ne jemi të vendosur të përdorim potencialin e plotë të mjeteve tona, brenda mandatit tonë”,- tha presidentja e BQE, Christine Lagarde.

Sakaq, Italia ngelet një nga vendet më të prekura, dhe numri i personave që po humbin jetën rritet ndjeshëm çdo ditë. Deri më tani në Itali kanë humbur jetën 4,031 persona. Ndërsa në SHBA kanë humbur jetën 275 persona. Në Greqi deri më tani kanë humbur jetën 6 persona dhe në Francë ka 450 viktima.

Të infektuar ka edhe në Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni e Veriut, Gjermani dhe në shumë vende të Europës. Në Shqipëri 79 persona janë infektuar me COVID-19 dhe 2 prej tyre ka humbur jetën.