AKTUALITET, 27 Prill 2018, 14:43

Prapaskenat/ Pse gjermanët refuzuan darkën me Ramën në restorantin luksoz të Berlinit

Prapaskenat/ Pse gjermanët refuzuan darkën me Ramën në

Deutche Welle konfirmoi informacionet e botuara në mediat shqiptare se mbrëmjen e të mërkurës, Edi Rama e kaloi i vetmuar në një nga restorantet luksoze të Berlinit, pasi deputetët gjermanë refuzuan ftesën e ambasadës shqiptare.

Prenotimi ishte për një darkë, ku do të merrnin pjesë deputetët gjermanë dhe delegacioni shqiptar, por gjatë pasdites erdhi njoftimi se gjermanët kishin vendosur të mos bëheshin pjesë e darkës.

“Marrëdhënie jo fort të mira me CDU-në” e quan Deutche Welle (shqip) një pjesë të shkrimit ku flitet për përplasjen e kryeministrit shqiptar me deputetët e Bundestagut në Komisionin për Çështjet e Europës.

Në shkrim konfirmohet se qëndrimi i prerë i gjermanëve ndaj delegacionit shqiptar u provokua nga shkrimet e portaleve pranë qeverisë, për të cilat një ditë më parë, raportoi edhe Lapsi.al

“Ky proces është vështirësuar ndërkohë, për shkak të artikujve të shkruar në disa media shqiptare kundër deputetit kristian-demokrat, Gunther Krichbaum. Kryetari i Komisionit të Bundestagut për Bashkimin Europian, në të njëjtën ditë me shpalljen e rekomandimit të Këshillit të Evropës për çeljen e negociatave, tha në një intervistë për DW (shqip) se Shqipëria ka ende deficite në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Disa media në Shqipëri iu përgjigjën këtij prononcimi me artikuj që e sulmonin personalisht deputetin gjerman. Siç bënë të ditur për Dë qarqet e CDU-së në Berlin, disa deputetë demokristianë mendojnë se artikujt që e akuzonin deputetin gjerman si pro-rus dhe pro-serb dhe si vegël të opozitës shqiptare, vinin nga autorë të afërm me Partinë Socialiste”

DW shpjegoi se si u prit në Gjermani, justifikimi i Edi Ramës që kërkoi falje për shkrimet e mediave, por shprehu pafuqinë për të ndikuar tek to. Por me shumë gjasë gjermanët kanë qenë të informuar me detaje për portalet dhe sponsorët e tyre dhe ndjesa e ka nxjerrë Ramën si një gënjeshtar, duke përkeqësuar situatën për të.

“Edhe pse kreu i qeverisë shqiptare, gjatë seancës dëgjimore në Komisionin e Bashkimit Europian, u distancua nga artikujt në fjalë, deputetët mendojnë se kjo mënyrë e të përgjigjuri ndaj kritikave me akuza personale është një shenjë presioni. “Kjo fushatë nuk ka të bëjë me zotin Krichbaum, këtu dërgohet hapur një sinjal brenda vendit. Nje shpifje për ata që dalin kundër nesh”,i tha DW referenti i një deputeti që kishte refuzuar pjesëmarrjen në darkën e kryeministrit”

Një fakt tjetër që përmendet në shkrimin e DW është zgjedhja e restorantit ku Rama do të darkonte me deputetët gjermanë. I mësuar me mënyrën e jetesës në Tiranë, Ramës i ka shpëtuar fakti se darka e organizuar në një nga restorantet më të shtrenjta në Berlin, mund të interpretohej ndryshe nga gjermanët. Detaji nuk ka kaluar pa u vënë re nga gazetarët.

“Deputetët rreth grupit parlamentar për Ballkanin Perëndimor, në shenjë solidariteti me kolegun e tyre, vendosën të mos i përgjigjeshin ftesës që u kishte bërë kryeministri Rama në një nga restorantet më luksoze dhe ekskluzive të Berlinit. Këtë ia konfirmuan Dë (shqip) dy deputetë të këtij fraksioni. Ndërsa zyra e Gunther Krichbaum-it, i tha Dë se tashmë është anuluar edhe vizita që Gunther Krichbaum kishte planifikuar të bënte në Shqipëri në fillim të muajit të ardhshëm”.