TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Politikanët pushime në zonat e tyre elektorale – Me përfundimin e sesionit parlamentar edhe politika ka nisur pushimet. Pas një sezoni të ngjeshur me akuza politike dhe zhvillime, tashmë është koha që politikanët të zhveshin kostumet zyrtare për të qenë pranë detit së bashku me familjen. Në prononcimin e tyre për “Bluetooth”, ajo që ra në sy është se shumica e deputetëve do t’i kalojnë pushimet pranë zonave të tyre elektorale. Të gjithë ligjvënësit e pyetur kanë rrëfyer se do t’i kalojnë pushimet në Shqipëri.
Alket Hyseni
Si deputet i Vlorës, Alket Hyseni nuk kishte sesi të mos promovonte jugun. Në përgjigjen e tij, ai është shprehur se do të shijojë të gjithë rivierën e jugut. Më tej, ai bën thirrje që të gjithë të kalojnë pushimet në Shqipëri. “Kryesisht me zonën time që përkon me bregdetin më të bukur në Mesdhe, në rivierën shqiptare nga Vlora, në Sarandë dhe Ksamil. Pushime të mbara dhe ju dhe ju presim në jug. Mos shpenzoni kot jashtë Shqipërisë”, u shpreh deputeti.
Nada Meçorapaj
Edhe deputetja e Partisë Demokratike ka zgjedhur zonën e saj për të shijuar ditët plot relaks. Duket se veçmas ditëve të pushimit, Nada do të jetë edhe më pranë votuesve të saj. “Pushimet verore do i kalojë në Vlorë dhe në Dhërmi me familjen”, u shpreh ajo në prononcimin dhënë për “Bluetooth”.
Izmira Ulqinaku
“Unë do i kaloj pushimet në Shqipëri, pjesën më të madhe të kohës në zonat turistike që mbulon qarku i Shkodrës”, u shpreh deputetja e re e qarkut të Shkodrës. Duket se Izmira nuk ngjason aspak me moshataret e saj që preferojnë clubet e jugut, apo resortet jashtë Shqipërie.
Ermonela Felaj
Edhe për Ermonelën, këto do të jenë ditë të mbushura me diell dhe det. Besnike e jugut të vendit, ajo është shprehur se nuk do ta braktisë as këtë vit. Së bashku, me familjen Ermonela Felajn mund ta gjeni përgjatë bregdetit të jugut. “Unë do i kaloj pushimet në Shqipëri, në jug kryesisht në Sarandë”.
Ervin Salianji
Pushimet për deputetin e Korçës do të nisin pikërisht nga zona e tij elektorale. Ervini duket se këtë verë do të shkelë gjithë Shqipërinë, duke shijuar si detin ashtu edhe malin. “Do jem në Shqipëri, në turn në disa pika turistike nga Thethi, në Dardhë dhe Voskopojë. Në Dhërmi, Pogradec dhe në Golem në plazhin e mirëmbajtur me shumë kujdes nga bashkia Kavajë”, u shpreh Salianji.
Evis Kushi
Për deputeten e Partisë Socialiste kanë nisur tashmë pushimet në Pogradec. Por, duket se ky është vetëm fillimi, pasi pas liqenit, Evisi do t’i drejtohet perlës së jugut të vendit. “Aktualisht jam duke pushuar një javë në Pogradec bashkë me familjen. Na pëlqen këtu qyteti, liqeni, klima, Driloni, Tushemishti etj. Ndërsa, në fillim të gushtit kemi planifikuar një javë buzë Jonit në jug të Shqipërisë”.
Eduart Shalsi
Edhe pse me një fëmijë të porsalindur, edhe deputeti i PS, Eduart Shalsi do të shijojë disa ditë pushime. Por edhe Shalsi, si shumica e kolegëve të tij ka zgjedhur zonën e tij elektorale Pogradecin. “Ku më mirë se në zonën time elektorale, Pogradec”. Ndoshta veç bukurive natyrore, ky qytet është i përshtatshëm edhe për një familje me një fëmijë të vogël.
Vilma Bello
Pushimet e deputetes së PS kanë vetëm një kryefjalë, familja. E ashtu sikurse ajo vetë u shpreh, një familje e madhe. Si një vlonjate, ajo zgjedh Radhimën për pushimet e këtij viti. “Në Radhimë, si 13 vjet rresht, me familjen time të madhe, burrin, vajzat dhe prindërit e tim shoqi, me të cilët jetoj”, u shpreh ajo.
Senida Mesi
Gushti do ta gjejë përsëri zëvendëskryeministren në Shkodër. Por këtë herë Senida Mesi do të shkojë si pushuese në Velipojë. “Kryesisht do jetë në Velipojë shumicën e pushimeve, mund të kalojë ndonjë fundjavë në Shëngjin dhe Sarandë”, u shpreh ajo. Duket se edhe për Senidën pushimet do të kenë pak punë brenda.
gsh