TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
“Daja” nga Kosova ka refuzuar të japë shpjegime përpara grupit hetimor në lidhje me akuzat ndaj tij. Ragip Hajdini, u arrestua t ë premten si personi i gjashtë i dyshuar për grabitjen e Rinasit, por 50-vjeçari nuk ka pranuar të japë asnjë lloj shpjegimi.
Ragip Hajdini rezulton të ketë precedentë të penalë edhe në Kosovë, ku ka qenë i dyshuar për grabitjen e 25 kg flori nga Dhoma e Dëshmive në Policinë e Pejës. Kjo ngjarje ka ndodhur në vitin 2012.
Aktualisht, ai ndodhet në dhomat e paraburgimit në Policinë e Tiranës dhe pritet të dalë para Gjykatës së Krimeve të Rënda për t’u njohur me masën e sigurisë. Ai u identifikua nga dëshmia e Alkond Bengasit, i arrestuar gjithashtu për grabitjen në Rinas, por që pranoi të bashkëpunonte me grupin hetimor.
Në dëshminë e Alkond Bengasit (Qevanit), Ragip Hajdini apo siç njihet edhe me mbiemrin Haxhiajdini, përshkruhej si një person qeros, rreth të 50-ve dhe që Admir Murataj e thërriste “Daja”.
“Një u prezantua si Admir Murataj i cili ishte në shoqërinë e 2 personave nga Kosova. Një prej tyre e thërrisnin “daja” ndërsa tjetrin “Tani”. Pasi hëngrën drekë, morëm furgonat Chevrolet, të cilët unë më pas i modifikova. Më vonë mësova se mjetet do të përdoreshin për grabitje,”- shprehej Bengasi ndër të tjera në dëshminë e tij.
Alkond Bengasi është kushëriri i Klement Calës, të kërkuarit kryesor për grabitjen në Rinas. Bengasi u prangos bashkë me 3 të arrestuarit e tjerë, Saimir Cela, Oltjon Veseli dhe Renaldo Sula.
Bengasi pranoi të bëhej bashkëpunëtor i drejtësië duke treguar të gjithë dinamikën që ndodhi në grabitjen spektakolare në Rinas, ku u morën rreth 6.7 milionë euro.
Deri më tani të arrestuar janë:
Alkond Bengasi
Renaldo Sula
Oltian Veseli
Saimir Çela
Elton Pikli
Ragip Hajdini
Ndërsa Admir Murataj, personi që konsiderohej si truri i grabitjes, mbeti i vrarë në tentativën për t’u arratisur me furgonin e modifikuar “Hetimi Tatimor”.
Në kërkim janë edhe disa persona të tjerë si Klement e Eldi Çala, por edhe një tjetër shtetas nga Kosova, shok i “dajës”, siç e identifikon Alkond Bengasi në dëshminë e tij.
Policia vazhdon ende operacionin për gjetjen e parave të grabitura, pavarësisht se deri më tani nuk është gjetur asnjë provë që të mbështesë dëshminë e të penduarit.