TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Testimet përfundimtare për vaksinën kundër koronavirusit nga kompania AstraZeneca në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit, janë pezulluar, për shkak se një prej pjesëmarrësve në këto testime është sëmurur papritur.
Testimet për vaksinën anti-Covid, ishin në fazën e tretë dhe të fundit. Deri në këto momente vaksina ishte testuar tek 17 mijë persona në Mbretërinë e Bashkuar, Brazil dhe Afrikën e Jugut.
Vetë kompania e përshkroi pezullimin vullnetar të testimeve si një "rutinë", për rastet kur ndodh një "sëmundje e pashpjegueshme".
Vaksina e AstraZeneca dhe Universitetit të Oksfordit në Mbretërinë e Bashkuar, shihet si një nga pretendetet kryesore në mbarë botën, mes dhjetëra vaksinave që po zhvillohen nga kompani të ndryshme.
Aktualisht, vetëm gjashtë vaksina në mbarë botën, kanë arritur në fazën e tretë dhe përfundimtare të testimeve.
Vaksina e Astra Zeneca dhe Universitetit të Oksfordit, ka dëshmuar një nivel të lartë të reagimit imunitar.
Nuk dihet ende nëse ky pezullim do të sjellë vonesa të gjata në prodhimin e vaksinës.
Ndërkohë që testimet vijojnë nga kompani të tjera, në garë për të prodhuar vaksinën anti-Covid, Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump sugjeroi se një vaksinë mund të jetë e gatshme përpara zgjedhjeve presidenciale të nëntorit, çka solli një ortek reagimesh.
Pas këtyre sugjerimeve të Trump, drejtuesit e nëntë kompanive që po testojnë aktualisht vaksinat, u zotuan se nuk do të kërkojnë aprovimin e vaksinave, pa përfunduar të gjitha testimet mbi efikasitetin dhe sigurinë e tyre, një lëvizje kjo për të siguruar publikun se situata politike nuk do të ketë ndikim mbi testimet dhe prodhimin e vaksinës.
/TPZ.al/