AKTUALITET, 25 Qershor 2021, 11:06

Përleshje me thika mes fqinjëve, për xhelozi! Sherri ndodhi në mes të rrugës, shkuan për t’i ndarë…

Përleshje me thika mes fqinjëve, për xhelozi! Sherri ndodhi


Një sherr fizik dhe më pas përdorimin e thikës midis dy fqinjëve ka përfunduar me plagosjen e njërit prej tyre, ndërsa autori i dyshuar i ngjarjes ka përfunduar në pranga e forcave të rendit.

Ngjarja ndodhi gjatë ditës së djeshme rreth orës 11:00, në lagjen “Pavarësia” të qytetit të Vlorës. Policia lokale sqaroi se shtetasi Pilo Sevi ka qëlluar me thikë 57- vjeçarin, Ferdinant Petriti, ngjarje e ndodhur rreth mesditës së të enjtes pranë shkollës “24 Maji” të qytetit bregdetar të Vlorës.

“Rreth orës 11:00, në lagjen ‘Pavarsia’, si pasojë e një konflikti të çastit, për motive të dobëta, është goditur me mjet prerës(thikë), shtetasi F. P., 57 vjeç, banues në Vlorë. Gjithashtu ka shoqëruar në ambientet Policore autorin e dyshuar, shtetasin P. S., dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, sqaron Policia lokale.

I plagosuri u dërgua me urgjencë drejt Spitalit të Vlorës menjëherë pas ngjarjes së regjistruar në një ambient publik. Burime jo zyrtare bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur për shkak të ngacmimit të gruas së autorit të dyshuar dhe ky i fundit i ka dalë në rrugë 57- vjeçarit, duke u përleshur fizikisht me të dhe më pas e ka qëlluar disa herë me thikë. Pas sherrit, në rrugë kanë dalë edhe banorë të tjerë, në përpjekje për t’i ndarë. Forcat e rendit kanë shkuar më pas në vendin e ngjarjes, duke prangosur autorin e dyshuar. Duket se pas ngjarjes janë motivet e xhelozisë midis fqinjëve.