TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Nga Bernd Riegert
Një vështrim në hartë të tregon pozicionin e veçantë të Bjellorusisë. Ky vend kufizohet në perëndim nga vende anëtare të NATO-s, Polonia, Lituania dhe Letonia, në jug nga Ukraina dhe në lindje nga Rusia. Bjellorusia nuk është një "shtet i ndërmjetëm" thotë Gustav Gressel nga Këshilli Europian për Çështjet e Jashtme në Bruksel. "Bjellorusia nuk është neutrale si Zvicra, Suedia apo Finlanda. Ky vend europianolindor është pjesë e aleancës ushtarake të dominuar nga Rusia "Organizata e Marrëveshjes për Siguri Kolektive". Anëtarë janë Bjellorusia, Rusia dhe Armenia. Aleksander Lukashenko iu referua kësaj aleance në fundjavën e shkuar, kur pretendoi, se NATO po mblidhet në kufirin perëndimor të Rusisë. Pas një telefonate të Lukashenkos me presidentin Putin, presidenti rus deklaroi, se Rusia do të qëndrojë pranë aleatit bjellorus në "kuadër të detyrimeve të marrëveshjes".
Akuza kundër NATO-s
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg i hodhi poshtë menjëherë pretendimet e presidentit Lukashenko, se ka lëvizje ushtarake të aleancës. Ajo nuk ka stacionuar trupa shtesë në Poloni apo Lituani, por është "në pozicion strikt mbrojtës", dhe "e gatshme të përgjigjet kundër çdo lloj agresioni ndaj aleatëve të NATO-s", tha Stoltenberg. Presidenti Lukashenko më pas vendosi të fillojë manovra të ushtrisë bjelloruse. Sipas ekspertit, Gustav Gressel, kreu i shtetit bjellorus përpiqet të konstruktojë një kërcënim nga jashtë për të inkurajuar Rusinë në një intervenim ushtarak në favor të tij. Por "Putini nuk ka ndërmend ta bëjë këtë. Sa kohë që Bjellorusia nuk i shkel vijat e kuqe, pra i përmbahet marrëveshjeve për unionin shtetëror, bashkëpunimit ushtarak dhe ekonomik, Rusia nuk do të ndërhyjë."
Rusia nuk mbështet patjetër Lukashenkon
Sipas vlerësimit të ekspertëve, Rusia nuk mbështetet tek autokrati i lëkundur, Lukashenko, por në atë që Bjellorusia është një vend prorus dhe do të mbetet e tillë. Një ndërrim i qeverisë nuk do të shqetësonte Kremlinin, sa kohë që nuk do të kishte një ndërrim drejtimi me kah nga perëndimi, drejt BE apo NATO-s. E ky ndërrim kahu nuk duket në horizont. Opozita nuk ngre kërkesën të fusë Bjellorusinë në BE. Politikanja e opozitës, Maria Kolesnikova i tha gazetës gjermane, "Welt am Sonntag", se sanksionet që BE tani ngre kundër përgjegjësve të caktuar në Bjellorusi janë më shumë joproduktive. Ato do të rëndojnë atmosferën e bisedimeve mes opozitës dhe qeverisë. "Sanksionet vijnë shumë herët", thotë Kolesnikova.
Prej ditësh diplomatët në Bruksel paralajmërojnë nga ofrimi i një preteksti Rusisë, që të pretendojë më pas, se BE po përzihet nga jashtë. Kreu i Këshillit të BE, Charles Michel tha në mënyrë diplomatike, se njerëzit në Bjellorusi kanë të drejtën të përcaktojnë vetë lidershipin e tyre, dhe këtë pa dhunë. Ai nuk ka ngritur kërkesën për një dorëheqje të presidentit Lukashenko. Si kancelarja Merkel edhe presidenti Putin kanë rënë dakord në një telefonatë këtë javë, se "nuk do të ketë përzierje nga jashtë."
Jo krahasime me Ukrainën
Ushtria ruse mund të futej në Bjellorusi brenda pak ditësh, megjithëse në vend nuk ka baza ushtarake ruse. Por për një intervenim të tillë Kremlini nuk ka interes, është i mendimit eksperti i Këshillit Europian për Çështjet e Jashtme, Gressel. Bjellorusia nuk mund të krahasohet me Ukrainën. Aty Putini pas një kthese properëndimore aneksoi Krimenë dhe lejoi luftën në lindje të vendit. Në Bjellorusi popullsia është më shumë proruse. Të dy shtetet janë të lidhur në një union.
Problematik është më shumë kursi i zigzageve të Lukashenkos. Pak ditë para zgjedhjeve, ai la të arrestohen 32 rusë, të cilët i akuzoi si ushtarë me pagesë me porosi të destabilizimit të Bjellorusisë. Dëshirën ruse për të ndërtuar një bazë më të madhe ushtarake, Lukashenko nuk e ka plotësuar. Ai ka qenë i fokusuar tek pavarësia, ka krijuar madje pak lidhje edhe me NATO-n.
Bjellorusia merr pjesë në disa programe të NATO-s, u mendua madje dhe për manovra të përbashkëta. Këtë kurs, BE e shpërbleu me heqjen e sanksioneve kundër udhëheqjes bjelloruse. Disa analistë madje tërheqin vëmendjen, se Rusia në zgjedhje të reja të mundshme mund të presë që të zgjidhet një pasues prorus, por më modern se Lukashenko. Si kandidat mund të jetë Viktor Babariko. Lukashenko e arrestoi Babarikon, kur ky kandidoi për postin e presidentit. Babariko ka drejtuar një firmë bjelloruse të Gazpromit rus. Ai është për pavarësinë e Bjellorusisë si nga perëndimi edhe nga Rusia./dw