TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Mbyllja e dyqaneve, shkollave, mbajtja e maskave dhe vetë-karantinimi. Në vitin 1918, këto ishin metodat e distancimit social të përdorura për të mposhtur pandeminë e gripit spanjoll, të njëjtat metoda që u përdoren për të frenuar përhapjen e koronavirusit të ri më shumë se 100 vjet më vonë.
Pandemitë globale kanë tendencë të ndodhin çdo 30 deri në 40 vjet, por ekspertët kanë paralajmëruar për vite me radhë se bota nuk është e përgatitur për një tjetër. Megjithatë, një pjesë e mirë e ekspertëve këmbëngulin se bota sot në prag të shpërthimit katastrofik të ngjashëm më atë të vitit 1918.
Gripi i vitit 1918 zgjati deri në vitin 1920 dhe konsiderohet si pandemia më vdekjeprurëse në historinë moderne. Sot, ndërsa bota po përballet me koronavirusin, shkencëtarët dhe historianët po studiojnë shpërthimin e vitit 1918 për të gjetur të dhëna për mënyrën më efektive për të ndaluar këtë pandemi globale.
Përpjekjet e zbatuara më pas për të penguar përhapjen e gripit në qytetet në të gjithë Europën, mund të ofrojnë mësime për të luftuar krizën e sotme.
“Ajo që ne po dëgjojmë tani, për sa i përket larjes së duarve ose qëndrimit në shtëpi, janë pothuajse të njëjtat masa që janë rekomanduar në vitin 1918”, thotë Tom Ewing, profesor i historisë në Universitetin e Virxhinias.
“Kur nuk keni një vaksinë dhe kur nuk keni një trajtim, nuk ke zgjidhje tjetër veçse të përgatiesh për më të keqen”, thotë ekspertja Monica Schoch-Spana, aktualisht pjesë e Qendrës “Johns Hopkins” për Sigurinë Shëndetësore.
Sipas saj, por edhe një sërë eskpertësh të tjerë, Covid-19 duket se po ndjek gjurmët e pandemisë vdekjeprurëse të gripit spanjoll.
Duke u nisur nga mënyra se si COVID-19 preku vetëm një sasi të vogël të njerëzve në fazën fillestare, edhe gripi spanjoll ndoqi të njëjtën rrugë. Por atëherë papritmas gripi u përhap me shpejtësi në shtator dhe arriti kulmin e tij deri në fund të tetorit në vitin 1918. Ai mori disa qindra mijëra jetë në një hapësirë kaq të shkurtër kohore, por më pas pandemia u zhduk deri në fund të nëntorit.
Ekspertët druhen se në vjeshtë, bota mund të përballet me një valë të dytë të pandemisë, ashtu siç ndodhi me gripin spanjoll, pasi numri i raportuar i rasteve në të gjithë botën po rritet dita-ditës.
Deri në fund të gripit spanjoll, të paktën 50 milionë njerëz ishin të vdekur në të gjithë botën, edhe pse numri real i viktimave mendohet të ketë arritur në 100 milionë. Ashtu si në vitin 1918, një valë e dytë e koronavirusit Covid-19 duket e afërt, pasi qeveritë hoqën të gjitha masat e izolimit. Infeksioni u rishfaq dhe u përhap duke shënuar rekorde të reja nga vendi në vend përgjatë gjithë verës së vitit 1918, duke shkaktuar në vjeshtë një valë të dytë katastrofike.
Historiani Leonard Garfield, një reporter që ka studiuar për dekada përhapjen e kësaj pandemie, ngre paralele alarmante, duke thënë se ashtu si në verën e 102 viteve më parë, pothuajse të gjitha vendet po shohin rritje të rasteve të reja, me SHBA-në që ka shënuar një rekord prej 60 mijë rastesh të reja në ditë.
“Betejat e fundit të Luftës së Parë Botërore u bënë “nikoqiret” e përsosura për përhapjen e virusit. Ndërkohë që trupat lëviznin, infeksioni udhëtonte me ta. Vala që ishte shfaqur për herë të parë në Europë duket u qetësua pas disa javësh, por ky ishte vetëm një qetësim i përkohshëm. Pas fuqizimit gjatë verës, në shtator të vitit 1918, epidemia ishte gati për të hyrë në fazën e saj më vdekjeprurëse”, thotë ai për “National Geographic”.
Sipas ekspertëve, 13 javët midis shtatorit dhe dhjetorit të vitit 1918 do të përbënin periudhën më vdekjeprurëse. Të paktën 30 milionë njerëz mendohet të kenë humbur jetën, duke ia tejkaluar viktimave të Luftës së Parë Botërore që u kishte marrë jetën 20 milionë njerëzve.
Ajo që i ka nxitur studiuesit të ngrenë paralele, është rritja e ashpërsisë së koronavirusit të ri me uljen e temperaturave. Edhe pse numri i të prekurve është rritur pas daljes nga karantina, ekspertët amerikanë thonë se nëse do të ishim në dimër, numri i vdekjeve do të ishte shumë më i lartë, pasi rrezet e diellit sipas tyre ulin aftësinë e virusit për t’u riprodhuar.
Në një studim, Departamenti Amerikan i Sigurisë së Brendshme zbuloi se temperaturat dhe rrezet e diellit vrasin dhe dobësojnë ndjeshëm virusin në spërklat e pështymës në sipërfaqe dhe në ajër. Ka qënë pikërisht ky zbulim, ai që ka alarmuar shumë shkëncëtarë në mbarë botën, duke iu ndruajtur asaj që pritet të ndodhë me uljen e temperaturave.
Sapo numri i të prekurve nga gripi spanjoll filloi të rritej në fillim të shtatorit 2018, shërbimet mjekësore filluan të mbingarkoheshin derisa dështoi totalisht. Funeralet individuale u bënë të pamundura dhe shumë prej të vdekurve përfunduan në varre masive.
“Thjesht nuk kishte mjaft mjekë apo infermierë,” tha Garfield. “Duke qenë se pandemia ndodhi gjatë kohës së luftës, pati një mungesë të rëndë të mjekëve dhe infermierëve, pasi shumë prej tyre ishin dërguar në kampe ushtarake jashtë vendit. Dhe nga infermierët dhe mjekët që mbetën, shumë prej tyre u sëmurën. Nuk kishte shtretër të mjaftueshëm në spitale për të gjitha rastet e reja të gripit, kështu që shkollat dhe ndërtesat e tjera u shndërruan në spitale të improvizuara.
Në tremujorin e parë të 2020-s, spitale emergjente u ndërtuan me ngut në të gjithë botën. Kina ndërtoi një të tillë për gjashtë ditë, duke përdorur një modul parafabrikat, ndërsa në Nju Jork katër mjedise publike u shndërruan shpejt në spitale. Marina e SHBA-së gjithashtu vendosi në veprim dy anijet e saj spitalore, ndërsa procesi i ndërtimit të shpejtë të spitaleve u shtri në Kaliforni dhe shtete të tjera.
Fundi i vitit 1918 solli një frenim në përhapjen e sëmundjes dhe janari i vitit 1919 solli nisjen e fazës së tretë dhe të fundit. Deri në atë moment përhapja e virusit ishte zvogëluar. Tragjedia e vjeshtës dhe dimrit të vitit 2018 nuk u përsërit dhe niveli i vdekshmërisë ra.
Megjithëse vala përfundimtare ishte shumë më pak vdekjeprurëse se dy të parat, ajo ishte akoma në gjendje të shkaktonte dëme të konsiderueshme. Australia, e cila kishte miratuar shpejt kufizimet e karantinës, arriti shpëtojë deri në fillim të vitit 1919, por sëmundja mbërriti më në fund edhe atje dhe u mori jetën mijëra australianëve.
Gripi spanjoll dhe koronavirusi shkaktojnë dëme në tru
Një ekspert ka paralajmëruar se të dhënat e analizuara tregojnë se koronavirusi shkakton dëme të ngjashme të trurit si gripi spanjoll. Pandemia e vitit 1918 bëri që miliona pacientë të luftojnë mes të tjerash edhe me encefalit viral, një enjtje të trurit që mund të ndodhë nëse një patogjen hyn në sistemin nervor qendror.
Disa të mbijetuar vazhduan të shfaqnin simptoma të ngjashme me sëmundjen e Parkinsonit si dridhjen e duarve dhe lëvizjet e ngadalta. Gati 100 vite më vonë, mjekët po zbulojnë një grup relativisht i madh i pacientëve me Covid-19 po shfaqin komplikime neurologjike. Një studim i Universitit të Londrës (UCL) zbuloi se një numër i lartë i pacientëve treguan shenja të dëmtimit të trurit, edhe pse nuk kishin simptoma të rënda të frymëmarrjes.
Shkencëtarët e UCL analizuan 43 pacientë, të moshës 16 deri në 85 vjeç. Dhjetë prej këtyre individëve kishin encefalopati kalimtare, mosfunksionim të përkohshëm të trurit dhe inflamacion në tru, të ngjashme më ato që raportohet se shfaqnin të prekurit nga gripi spajoll. Këto pasoja dëmtojnë mbulesën mbrojtëse yndyrore që rrethon nervat dhe lejon transmetimin e impulseve elektrike.
Çfarë na mëson gripi spanjoll?
Ndryshimet dramatike demografike në shekullin e kaluar kanë bërë që një pandemi të bëhet gjithnjë e më e vështirë për t’u menaxhuar. Rritja e globalizmit, urbanizimi dhe qytetet më të mëdha, më të dendura mund të lehtësojnë përhapjen e një virusi në një kontinent në tjetrin në pak orë por mjetet në dispozicion për t’u përgjigjur kanë mbetur pothuajse të njëjta.
Në vitin 2007, një studim në Gazetën e Shoqatës Mjekësore Amerikane analizoi të dhëna shëndetësore dhe historike, duke zbuluar se si ndikoi reagimi i autoriteteve në përhapjen e gripit spanjoll në qytete të ndryshme. Duke krahasuar shkallën e vdekshmërisë, kohën dhe ndërhyrjet në shëndetin publik, ata zbuluan se niveli i vdekjeve ishte rreth 50 për qind më i ulët në qytete që zbatuan masa parandaluese herët, përkundrejt atyre që morën masa parandaluese vonë.
Përpjekja më efektive ishte mbyllja njëkohësisht e shkollave, kishave, teatrove dhe ndalimi i mbledhjeve publike. Kjo do të fitonte kohë për zhvillimin e vaksinave (megjithëse një vaksinë kundër gripit spanjoll nuk u arrit të përdorej deri në vitet 1940) dhe do të ulte mbingarkimin e sistemit të kujdesit shëndetësor.
Studimet arritën në një përfundim tjetër të rëndësishëm: Se heqja e masave parandaluese shumë herët mund të shkaktonte rritje të madhe të rasteve të reja me gripin spanjoll. Për shembull, Parisi kishte nivelet më të ulëta të vdekjes në pranverën e vitit 1918, duke bërë që qyteti të hiqte masat më pak se dy muaj pas fillimit të shpërthimit. Shumë shpejt Parisi u përball me një rritje të rasteve të reja. Nga qytetet që mbajtën masat e izolimit në fuqi, askush nuk pësoi një valë të dytë të vdekjeve.
Në vitin 1918, studimet zbuluan se çelësi i rrafshimit të kurbës ishte distancimi social. Dhe kjo ka të ngjarë të mbetet e vërtetë një shekull më vonë, në betejën aktuale kundër koronavirusit Covid-19. “Mësimet e vitit 1918, nëse merren parasysh, mund të na ndihmojnë të mos përsërisim të njëjtën histori sot”, shkrun epidemiologu i Universitetit të Columbias, Stephen S. Morse./Gazeta Si