IDE, 25 Qershor 2020, 12:18

Turizmi në dorë të shqiptarëve, specie të paqytetëruara që 75% të fjalorit e mbulon fjala k**

Turizmi në dorë të shqiptarëve, specie të


Nga Ermal Hasimja

Turizmi në dorë të shqiptarëve...

Në fundjavë isha në Gjipe, një vend i mrekullueshëm ku nuk ka mbërritur ende betoni. Zakonisht në këtë kohë ka më tepër të huaj se shqiptarë. Për fat të keq kësaj here kishte vetëm shqiptarë: si specie, jo si qenie të qytetëruara.

Makinat parkohen 5 metra nga deti. Tufa djemsh të rinj që vendosin makinat mes tyre e detit për të shijuar pamjen e mrekullueshme që ofrojnë … rrotat e makinës. Sepse gjithë plazhi duhet ta marrë vesh që kanë makina dhe sepse qeset me ushqime e birra nuk duhet t’i kenë më larg se 1 metër.

Disa po argëtohen duke zbrazur tymin e makinës mbi plazhistët e tjerë ngjitur të cilët sapo kanë kaluar nga turbofolku serb në “Xhamadani Vija-Vija”. U shkon me situatën edhe davaritja e burrnisë teksa futen me not qeni në det. Më i miri bën not Saliu me hedhje koke si trajse sa majtas djathtas. Pranë tyre rrijnë disi të bezdisur disa të tjerë të cilët sapo prenë degën e plotë të një pemë në lulëzim dhe e tërhoqën zvarrë me makinë deri te bregu ku po ndizej zjarri.

Jo zjarr muhabeti, por zjarr bubulak. Pothuajse më i madhi në plazh, sepse në fakt më të madhin e kishin ata të tjerët në cepin tjetër të plazhin që zbërthyen kallamat dhe trarët e barit të një hallexhiu që fle me një sy hapur duke pritur konkuistadorët e tatimeve. Është garë, kush e ka më të madhin. Piromanë falocentrikë hipokondriakë.

Të folurit, më saktë të ulëriturit, është kumbues dhe i bollshëm. Por 75% e fjalorit e mbulon fjala “k**”. Natën, në çadrën time, nisur nga deklaratat e zhurmshme të të pranishmëve kuptoj se e gjithë Gjipeja qenka plot me “k***” që pijnë, djegin, mbjellin qese e shishe në plazh, presin pemë dhe sintetizojnë shqipen në 5-6 fjalë themelore. Në gjuhën e këtyre fjala në fjalë ka më tepër sinonime se çdo fjalë tjetër në botë: shok, njeri, idiot, miku im më i mirë, roje parkingu, komshi, njeri që po ecën në rrugën përballë, shitës perimesh, deputet, mësues fizike, vëlla, polic, etj, etj.

Në fakt jo vetëm Gjipeja agonizon kësisoj. Përpara një jave shqiptarët e tjerë mbollën Ujvarën e Grunasit në Theth me mbeturina. Nuk po u besoja syve kur dy çifte pjeshkash e pjeshkushësh Blloku me fuoristrada babi më pyetën në mes të shtegut nëse shkohej me makinë deri te ujvara! Të ngratët, u zbythën me zhgënjim në sy!

Shumica e atyre që e marrin në sy kalvarin e 30 minutave ecje e shohin ujvarën nga celulari. Kur u del resmja e përkryer interesi për ujvarën ngordh. Entuziazmi u lloc dhe u kujtohet se fustani ose xhinset që kanë veshur nuk u rrijnë bukur në zbritje.

Le të lutemi në heshtje për natyrën por dhe për sipërmarrësit e turizmit shqiptar që këtë vit siç duken bathët do t’i nxjerrin me lot e qyrre paratë e mbijetesës me këtë milet.