AKTUALITET, 6 Maj 2019, 18:41

Për Xipen e mirë nga Tropoja

Për Xipen e mirë nga Tropoja


Nga Ermal Mulosmani

Një Zot e di sesi do ta përballojë dhimbjen nëna e saj. Në ëndrrat e saj po numëronte ditët për ta takuar Zarifen, ndoshta edhe orët.

Dita e kthimit nuk ishte e largët dhe mezi po e prisnin për t’u treguar për një vend të vogël atje, në Baltikun e largët ku e dërguan.

Por qeshja e saj që sillte dritë në shtëpi nuk do jetë më.

Ajo ra në minë, këmba, dora ose trupi i saj preku të paprekshmen, preku vdekjen. Kurajozja, trimja Zarife, me mision heroik.

Minapastruesit janë trimat më të mëdhenj, ata luajnë përditë me vdekjen.

Që fëmijët e Lituanisë të mos rrezikojnë jetën shkoi Zarifja nga Tropoja.

Zarifja sot është krenari dhe dhimbje. Ishte kaq e bukur dhe kaq e re për të vdekur. E dhimbshme në palcë të shpirtit!

Nëpër filma flitet për Markon nga Tropoja.

Në gazeta shkruhet për grabitësin nga Tropoja.

Por dikush duhet të shkruajë për Zarifen nga Tropoja. Për Xipen e mirë…

Zarife, të qoftë i lehtë dheu! Prindërit e tu do të kujtojnë me dhimbje e dashuri për sa të jenë gjallë. E bashkë me ta e gjithë Shqipëria.