AKTUALITET, 6 Maj 2019, 18:15

Zhdukja misterioze e Eduart Belegut, shpallet zyrtarisht i vdekur me vendim gjykate

Zhdukja misterioze e Eduart Belegut, shpallet zyrtarisht i vdekur me vendim


Biznesmeni Eduart Belegu, që dikur ka qënë dhe ish-këshilltar i Ministrit të Ekonomisë Dritan Prifti, zyrtarisht është shpallur i vdekur. Kërkimet disa vjeçare të policisë dhe prokurorisë së Krimeve të Rënda për gjetjen e Belegut, zyrtarisht kanë dështuar, pasi në 11 mars 2019 gjykata e Tiranës ka vendosur të shpallë të vdekur Eduart Belegun.

Vendimi ka ardhur pas kërkesë së bashkëshortes së Belegut, ku pas këtij vendimi i hapet rruga për ç’rregjistrimin e Belegut nga gjendja civile, dhe mandej nxjerja e trashëgimisë ligjore për pasuritë që gëzonte biznesmeni Belegu. Si rrjedhojë kërkuesja Ilirjana dhe fëmijët e tij,Xh.B,E.B. dhe E.B. janë trashëgimtarë ligjorë të radhës së parë,të personit të vdekur.

Kërkuesja provoi para gjykatës se ajo përveç faktit se është trashëgimtare ligjore në pronat e personit të zhdukur Eduart Belegu,është dhe bashkpronare në ½ pjesë të pronave të vëna gjatë martesës së bashku me burrin e saj Eduart Belegu. Ajo ka të drejtë që të luaj rolin e administratorit të pasurise.

Vetëm në qëndrën kombëtare të të biznesit në emër të Eduart Belegut janë rregjistruar dy biznese, si “Gerold” që është një kompani për shfrytëzimin e mineraleve dhe një kompani tjetër të quajtur “Re-Abel”. Sipas vendimit të gjykatës së Tiranës në 22 mars 2010 Eduard Belegu ka humbur kontaktet në zonën e Laprakës, pikërisht në magazinën e tregtarit Thanas Gjinopulli. Prokuroria kryevi shumë hetime në ato kohë por nuk zbuloi asnjë gjurmë të Belegut. Thanas Gjinopulli ka qënë personi kryesor i dyshuar i Prokurorisë së Krimeve të Rënda për zhdukjen e biznesmenit të njohur. Mungesa e provave solli dhe mos ndalimin e tij. Sot Gjinopulli ndodhet në SHBA./Shqiptarja.com/