SPORT, 26 Janar 2020, 13:34

Pengmarrje dhe lirim brenda ditës, histori si në filma për futbollistin në Argjentinë

Pengmarrje dhe lirim brenda ditës, histori si në filma për


Një ngjarje e pakëndshme ka ndodhur sot në Argjentinë kur brenda ditës, një futbollist i skuadrës së Lanus që gjendet në elitën e futbollit në këtë vend, është marrë peng e më pas është liruar. Lautaro Valenti, mbrojtës 21-vjeçar, ka përjetuar sot një nga ditët më të vështira të jetës së tij me një situatë shumë të pazakontë që ngjan me ato të filmave aksion.

Futbollisti dje kishte luajtur gjithë ndeshjen me klubin e tij por sot paradite në Argjentinë u dha alarmi se ai ishte marrë peng ndërsa gjendej në një lokal bashkë me motrën e tij nga disa persona të paidentifikuar të cilët kërkonin para për ta lënë të lirë. Negociatat nuk zgjatën shumë pasi familjarët e tij vendosën të bënin pagesën e shumës që kërkohej, pa specifikuar se sa ishte ajo.

Kësisoj, lojtari u lirua në drekë dhe u kthye përsëri te familjarët e tij, ndërsa policia po kërkon autorët e këtij rrëmbimi. E rëndësishme sipas policisë ishte që lojtari nuk kishte pësuar asnjë lloj dëmi fizik, përtej panikut për një ngjarje ku ishte bërë protagonist pa dashje.