AKTUALITET, 9 Korrik 2018, 14:17

PD: Rama dhe Fusha sh.p.k kërcënojnë pronarët e truallit pas Teatrit Kombëtar

PD: Rama dhe Fusha sh.p.k kërcënojnë pronarët e truallit pas

Partia Demokratike tha se asgjesimi i Gjykatës Kushtetuese është pjesë e skemës mafioze të Edi Ramës për shembjen e Teatrit Kombëtar dhe ndërtimit të 6 kullave, duke grabitur tokën publike dhe private. Deputeti Enkelejd Alibeaj tha një deklaratë ne selinë e Partisë Demokratike se “nëse ka një tregues që provon sesa mafioz është ligji për shembjen e Teatrit Kombëtar dhe ndërtimin atje të 6 kullave nga Edi Rama, ky tregues është mungesa e Gjykatës Kushtetuese!”

Sipas Alibeajt, kompania Fusha sh.p.k po i bën presion pronarëve të pronës në qendër të Tiranës për t’u blerë me çmime qesharake tokën ku do të ndërtohen kullat.

“Partia Demokratike u bën thirrje pronarëve të rezistojnë ndaj çdo kërcënimi që po u bëhet nga kompania Fusha, e cila po përdor pushtetin mafioz të Edi Ramës për t’u grabitur pronën.

Nëse Gjykata Kushtetuese do të ishte sot në funksion dhe nuk do të mbahej peng nga Edi Rama, i cili ka bllokuar prej më shumë se 1 viti emërimet e reja, opozita, artistët, pronarët, qytetarët që kundërshtojnë grabitjen, do të kishin mundësi ta ankimonin ligjin në Kushtetuese dhe Gjykata të pezullonte çdo veprim të qeverisë.

Gjykata Kushtetuese do ta bënte këtë, sepse ligji për Teatrin bie ndesh me të paktën 4 nene të Kushtetutës dhe me dy ligje të tjera, atë “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, si dhe me ligjin “Për vetëqeverisjen vendore”.

Në kushtet e asgjesimit të Gjykatës Kushtetuese nga mafia që na qeveris, ne po presim verdiktin e Presidentit të Republikës. Ne po presim që kreu i shtetit të vendosë veton e tij mbi ligjin mafioz Rama – Fusha dhe të mos bëhet pjesë e grabitjes e së paku 200 milionë eurove” tha Alibeaj.