AKTUALITET, 27 Gusht 2019, 13:49

PD nxjerr të dhënat e TIMS për Kajmakun: Provë e pakontestueshme!


Partia Demokratike ka vijuar edhe sot akuzat ndaj kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku.

Vetëm një ditë pas publikimit të dokumenteve, që tregonin se Kajmaku është arrestuar në Greqi për falsifikim parash, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazmend Bardhi, ka publikuar sot të dhënat e sistemit TIMS për kryebashkiakun Kajmaku.

“Sipas rregullave në fuqi, kur një shtetas pajiset me pasaportë, të dhënat e tij hidhen menjëherë në sistemin shtetëror TIMS.

Këtë dokument autentik ne e posedojmë dhe, nëpërmjet tij, provojmë në mënyrë të pakundërshtueshme se Agim Kajmaku i Bashkisë së Vorës është Jorgo Toto, i arrestuar në vitin 2003 në Greqi.

Sipas sistemit shtetëror TIMS, Agim Kajmaku (që është ekzaktësisht personi që shikoni në foto), kur ka patur emrin Jorgo Toto, i datëlindjes 06.07.1971, i biri i Imer dhe Maxhe, ka qenë posedues ekzaktësisht i pasaportës me Nr. Z 0148497.

Kjo është një provë e pakontestueshme që Jorgo Toto i arrestuar në Greqi me pasaportën me nr. Z 0148497, është Jorgo Toto, që ju shikoni në foto, me pasaportën me nr. Z 0148497, dhe që sot mban emrin Agim Kajmaku”, tha Bardhi.