AKTUALITET, 30 Korrik 2018, 21:33

PD ngushëllime për ndarjen nga jeta të Hajdaragës: Humbëm një kundërshtar të denjë politik

PD ngushëllime për ndarjen nga jeta të Hajdaragës:

Partia Demokratike shprehu ngushëllimet e saj për ndarjen nga jeta të ish-ministrit të Mbrojtjes, Luan Hajdaraga.

‘Hajdaraga ishte një kontribuues i jetës politike pluraliste në Shqipëri dhe luajti një rol të rëndësishëm në formësimin e një të majte shqiptare, që mbështeste alternativën euroatlantiste’,thuhet në mesazhin e PD.

Sipas mesazhit të saj, Partia Demokratike humbi një kundërshtar të denjë politik, ndërsa Partia Socialiste një nga idhtarët e europianizimit të saj.

Mesazh i PD për vdekjen e Luan Hajdaragës: 

Partia Demokratike shpreh ngushëllimet e saj më të thella për ndarjen nga jeta të Luan Hajdaragës, protagonist i zhvillimeve të së majtës shqiptare gjatë 28 viteve të fundit.

Hajdaraga ishte një kontribuues i jetës politike pluraliste në Shqipëri dhe luajti një rol të rëndësishëm në formësimin e një të majte shqiptare, që mbështeste alternativën euroatlantiste.

Si nënkryetar i PS dhe më pas si Ministër i Mbrojtjes apo zëvendësministër i jashtëm, Profesori i njohur i psikologjisë dha kontribut në normalizimin e jetës politike në vend, në zbatimin e një diplomacie pa ndikime partiake dhe mori pjesë aktive në aksionin mbarëkombëtar për zgjidhjen e krizës së të shpërngulurve shqiptarë të Kosovës.

Me ndarjen e tij nga jeta, familja humbi njeriun e saj më të shtrenjtë, Partia Socialiste njërin nga ithtarët e evropianizimit të saj, kurse Partia Demokratike një kundërshtar të denjë politik.