AKTUALITET, 30 Tetor 2019, 12:41

PD kërkon shkarkimin dhe burgosjen e Kajmakut, KQZ merr vendimin e parë për kryebashkiakun


Pas kërkesës së Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, i cili kërkoi në emër të PD që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve t’i heqë mandatin kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku, KQZ merr vendimin e parë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mblidhet më datë 1 nëntor, ora 10:00 për të shqyrtuar verifikimet e prokurorisë për Kajmakun.

Partia Demokratike i ka kërkuar sot Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të vendosë për shkarkimin kryetarit të Bashkisë së Vorës, Agim Kajmakut.

Prokuroria e Përgjithshme vërtetoi pas përgjigjies që ka ardhur nga Interpol Greqia dhe Interpol Tirana, se Agim Kajmaku është Jorgo Toto.

Agim Kajmaku fshehu arrestimin dhe nuk e deklaroi kur ai kandidoi për zgjedhjet e 30-qershorit.

Disa javë më parë, Partia Demokratike publikoi një vendim të prokurorisë dhe gjykatës së Janinës, të datës 19 qershor 2003, ku thuhej se ai ishte arrestuar në janar 2003 në Janinë për blerje të fidanëve dhe bimëve të tjera me para të falsifikuara.

Kajmaku i mohoi akuzat, deri në momentin kur u publikua një vendimi Gjykatës së Janinës, ku pushonte çështjen nga tij, duke e shpallur atë të pafajshëm.