AKTUALITET, 20 Shkurt 2019, 10:22

Pas Schutz edhe ambasadori i BE takim me Lulzim Bashën

Pas Schutz edhe ambasadori i BE takim me Lulzim Bashën

Ambasadori i BE në Tiranë Luigi Soreca dhe ambasadorja gjermane Susane Schutz kanë zhvilluar një takim me kreun e PD, Lulzim Basha në selinë blu.

Fillimisht Basha ka pritur në takim ambasadoren gjermane dhe më pas edhe ambasadorin e BE në Tiranë. Takimi mes liderëve vjen pas vendimit për djegien e mandateve nga opozita.

Sot në orën 17:00 PD ka thirrur Këshillin Kombëtar, i cili do të jetë organi përfundimtar që do të vendosë për lënien ose jo të mandateve.

Ditën e djeshme PD mblodhi Kryesinë e cila zgjati rreth 2 orë. Pas mbledhjes së kryesisë, Basha foli për mediat, ku njoftoi se Kryesia ka vendosur djegien e mandateve.

Mbledhja e Kryesisë së PD sapo përfundoi me votë unaime u miratua vendimi për djegie mandatesh”, tha Basha.

Kryedemokrati Basha shtoi se djegia e mandateve nuk është një qëllim në vetvete, por fillimi i një sfide e cila synon të garantojë një qeveri për njerëzit, e jo për krimin.

Djegia e mandateve nuk është qëllim në vetvete. Djegia e mandateve është alternativa e fundit që i është lënë opozitës që të arrijë një qëllim madhor. Të shembë një qeveri të krimit dhe t’i japim shqiptarëve një qeveri të njerëzve, për njerëzit dhe nga njerëzit”, tha Basha.