AKTUALITET, 30 Maj 2020, 12:44

Pas kthimit në normalitet, konfirmohen dy raste pozitive te Sanatoriumi, humb jetën një paciente

Pas kthimit në normalitet, konfirmohen dy raste pozitive te Sanatoriumi,


Dy raste pozitivë me koronavirus janë zbuluar së fundmi te spitali “Shefqet Ndroqi”, teksa ky i fundit iu rikthye normalitetit, pasi prej javësh funksionoi si spital Covid.

Abc News raporton se një rast është një 80-vjeçare, e cila fillimisht ka qenë e shtruar në pavionin e sëmundjeve të brendshme në QSUT.

Nga Sëmundjet e Brendshme ka shkuar në shtëpi. Ndërkohë pas shtatë ditësh në shtëpi e moshuara ka shfaqur komplikacione në mushkëri dhe është dërguar në Sanatorium, teksa ky i fundit u hap, dhe nuk është më spital Covid.

80-vjeçarja ka ndërruar jetë të enjten. Teksa ishte e shtruar në Sanatorium të moshuarës i është marrë tamponi, dhe ka rezultuar pozitive me Covid-19. E moshuara është konfirmuar e infektuar nga virusi pasi kishte ndërruar jetë.

Ndërkohë, rasti tjetër në Sanatorium është një pacient nga Librazhdi. Pasi i është bërë tamponi dhe ka dalë pozitiv, ai është transportuar te Infektivi.

Kujtojmë se ditën e sotme Instituti i Shëndetit Publik konfirmoi 23 raste të reja me koronavirus gjatë 24 orëve të fundit në vend.