AKTUALITET, 10 Qershor 2018, 16:40

Pas krimit të dyfishtë që tronditi Tiranën, policia i frikësohet një hakmarrjeje

Pas krimit të dyfishtë që tronditi Tiranën, policia i

Detaje të tjera dalin në dritë për vrasjen që tronditi vendin në zonën e “Don Boskos” në Tiranë. Burime pranë grupit hetimor thonë për “Panorama”, se Xhafer Mata, që qëlloi për vdekje disa herë me armë zjarri Xhuljeta Çunin, kishte disa javë që e përndiqte të renë.

Ajo madje ka bërë edhe një kallëzim ndaj tij në Komisariatin nr. 3 të Policisë në Tiranë, më 7 maj. Këtë kallëzim Policia ia ka referuar Prokurorisë, e cila më pas ka vendosur që të mos fillojë hetimet ndaj Xhafer Matës, për shkak se provat ishin të pamjaftueshme. Po kështu, burimet thonë se Xhafer Mata kishte disa ditë që e priste të renë në të njëjtin vend ku u krye vrasja. Edhe ditën e ngjarjes, si ditët paraardhëse, Xhafer Mata ndodhej në të njëjtin vend, duke ndjekur 19-vjeçaren Xhuljeta Çuni.

Kamerat e sigurisë së subjekteve private në zonën ku ndodhi ngjarja kanë filmuar momentin kur Xhuljeta tenton të largohet prej Xhafer Matës, por ky i fundit e ndjek me vrap nga pas dhe nxjerr armën duke e qëlluar. Ka qenë ky momenti fatal për të renë, e cila me gjithë përpjekjet që bëri, nuk arriti t’i shpëtonte dorës gjakatare të Matës. Xhuljeta Çuni ishte nisur mëngjesin e 8 qershorit drejt shkollës “Qemal Stafa”, ku do të jepte provimin e maturës, përkatësisht atë të Letërsisë.

Në orën 8:10, Xhafer Mata e ka pikasur të renë, ka tentuar ta ndalojë për të biseduar, por ajo ka refuzuar, duke u larguar me shpejtësi, përpara se të qëllohej me pistoletë nga Mata.

Ky i fundit, pas krimit, ka qëlluar edhe veten. Ndërkohë, ditën e djeshme, patrulla policie qëndronin në banesat e dy të rinjve. Policia e Shtetit i druhet ndonjë hakmarrjeje të mundshme, ndaj vendosi që të rrisë sigurinë në banesat e dy familjeve, teksa kryhen ceremonitë mortore.