SPORT, 19 Dhjetor 2020, 18:59

Partizani shpërdoron ndaj Bylisit, e mbyll fazën në vendin e tretë

Partizani shpërdoron ndaj Bylisit, e mbyll fazën në vendin e

Tjetër zhgënjim për Partizanin pas atij starti disi premtues të sezonit. Skuadra e drejtuar nga Ilir Daja u ndal 0-0 në “Elbasan Arena” ndaj Bylisit, në sfidën përmbyllëse të javës së 9-të të kampionatit, rezultate e së cilës nuk sollën ndryshime thelbësore në tabelën e renditjes. Të kuqtë nuk përfituan nga humbjet e Vllaznisë dhe Kukësit, por as nga barazimi i Tiranës në Korçë. Katër takime radhazi që të kuqtë nuk gjejnë rrugën e rrjetës, çka tregon krizën në finalizimin e aksioneve, me Solomon që vazhdon të shpërdorojë raste të pastra. Partizani e mbyll fazën e parë të Superiores në vendin e tretë me 13 pikë, 6 më pak se Vllaznia (Kukësi ka tri pikë më shumë).

Sa i përket kronikës së sfidës ndaj ballshiotëve, të kuqtë dhanë një shkëndijë që në minutën e 6-të me Asanin, tentativa e të cilit u grushtua nga Qirko. Ndreca vë në provë Alban Hoxhën me një goditje dënimi në të 17-ën, për të ardhur më pas te rasti i humbur nga Solomon në minutën e 25-të, teksa u ndal nga Qirko pasi kishte shmangur dy mbrojtës.

Ndreca ishte lojtari më i rrezikshëm i Bylisit në këtë pjesë, pasi edhe në të 39-ën vuri në vështirësi Alban Hoxhën.

Në pjesën e dytë, Jasir Asani mori karton të verdhë për simulim (54’), ndërsa Jurgen Bardhi humbi një rast të pabesueshëm në minutën e 81-të, pasi nuk u koordinua në goditjen me kokë pas asistit të dhënë nga Kote. Në minutat e fundit Carkanji i bë problem të paktën në dy momente për mbrojtjen e kuqe, ndërsa sulmet e Partizanit u ndalën të gjitha nga mbrojtje ballshiote, me miqtë që e merituan plotësisht këtë pikë.