SPORT, 16 Janar 2021, 16:04

Partizani fitore në kushte ekstreme, Tirana rigjen buzëqeshjen, feston Apolonia

Partizani fitore në kushte ekstreme, Tirana rigjen buzëqeshjen, feston

Partizani iu kthye fitores në Superiore në një terren në kushte ekstreme në stadiumin e Korçës për shkak të reshjeve të dëborës. Të kuqtë e Ilir Dajës triumfuan 1-2 ndaj Skënderbeut falë dy golave të shpejtë të shënuar në fillimin e takimit me autorë Bardhin dhe Solomon.

23-vjeçari Bardhi u gjend në vendin dhe kohën e duhur në shtyllën e dytë në zhvillimet e një goditjeje standarde, duke mposhtur portierin Dajsinani. Vetëm tre minuta më vonë Skëndereu mori goditjen e dytë nga Solomon, që sërish me kokë e dërgoi topin pas shpinës së portierit.

Skënderbeu e mori gradualisht veten, duke ushtruar presion në fushën e të kuqve, derisa në minutën e 65-të gjeti golin e 1-2 me Mensah, i cili hapi sfidën. Minutat në vazhdim nuk sollën ndryshim tjetër rezultati, teksa loja u përqendrua më së shumti në mesfushë, ku pati duele të ashpra. Me këtë suksesn Partizani i bashkohet me 23 pikë Teutës në vendin e dytë, por me 9 pikë më pak se Vllaznia kryesuese.

Fitore shumë e rëndësishme edhe për Tiranën, 2-1 në “Selman Stërmasi” përballë Kastriotit, që kaloi i pari në avantazh me David në minutën e 21-të.

Tirana reagoi shpejt duke kthyer baraspeshën në rezultat me Idriz Bathën në të 35-tën, pas një aksioni të bukur me protagonistë Halilin dhe Toshevskin.

Për t’u dhuruar fitoren bardhebluve mendoi Ernest Muçi, i cili pasi mori një pasim të bukur nga Ismajlgeci, mposhti Hidin, duke përmbysur rezultatin (53’). Debutoi në pjesën e dytë në radhët e Tiranës Talent Seferi, që pati dhe një mundësi për të shënuar, por ndërhyrja e Hidit rezultoi vendimtare.

Rezultati ndoshta më i papritur u shënua në Fier, ku Apolonia fitoi 1-0 me Laçin, falë golit të Gjatës në pjesën e parë me një goditje në hyrje të zonës. Edhe pse me një organikë më cilësore dhe me statusin e ekipit pretendent, Laçi i Duros nuk ia doli të bënte më të mirën në një terren të mrekullueshëm për të luajtur futboll.

Apolonia me këtë sukses barazon Bylisin në kuotën e 12 pikëve dhe lë në vendin e fundit Skënderbeun (10 pikë).