AKTUALITET, 5 Shtator 2019, 17:55

Paralajmëron Mustafaj: Nëse kriza do zgjidhet nga jashtë, do ketë furtunë që do fshijë të dyja kahet

Paralajmëron Mustafaj: Nëse kriza do zgjidhet nga jashtë, do

Ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, ka paralajmëruar të gjitha kahet politike që të ulen në tryezën e dialogut, për të gjetur një zgjidhje të krizës politike, pasi nëse do të ketë ndërhyrje nga jashtë, do ta pësojnë që të gjithë.

Në rubrikën “Opinion”, në News 24, Mustafaj tha se ndërhyrja nga jashtë do të sillte një furtunë që do të fshinte të dyja kahet politike, si mazhorancës, ashtu edhe opozitën.

“Mendoj se nuk ka zgjidhje pa dialog, sa më shpejt të vinte dialogu, aq më e lehtë do të ishte dhimbja për shqiptarët. Ose do të presim zgjidhje nga jashtë, dhe kjo do të ishte një furtunë që do të fshinte të dyja kahet politike. Nuk ka sinjale për dialog. Deklaratat e Ramës me letër nuk janë ftesë për dialog. Ta ftosh tjetrin për dialog dhe të përpiqesh ta përqeshësh, ta injorosh, nuk janë këto ftesa dialogu. Raporti nuk është furtunë në gotë uji, por duhet marrë shumë seriozisht.

Dialogu ka disa etapa, e para është diagnostikimi bashkë i situatës për të arritur një emërues të përbashkët të zgjidhjeve. PD ka dy kushte, që janë të drejta. E para, që nuk mund të bëhen zgjedhje të administruara nga Rama kryeministër, dhe kushti dy, të përmendurit në dosjet “184” dhe “339” duhet të shkojnë para drejtësisë. Në dialog Rama duhet të shkojë si kryetar i PS. Rama ka treguar se nuk është i aftë të rri neutral në zgjedhje”, tha Mustafaj.