AKTUALITET, 16 Maj 2020, 17:41

Pamjet e rënda ku polici dhunon 15-vjeçarin, Presidenti Meta reagon ashpër: Na kthen në kohën e arbitraritetit

Presidenti Ilir Meta e ka dënuar me forcë sjelljen e policëve që janë filmuar duke dhunuar një 15 vjeçar dy ditë më parë në zonën e Liqenit në Tiranë.

Në një postim në rrjetet sociale ku ka publikuar edhe videon, Meta thotë se ky akt tepër i rëndë dhe i dënueshëm dëmton seriozisht imazhin e Policisë së Shtetit duke na kthyer pas në kohët e arbitraritetit.

REAGIMI I PLOTE

Dënoj me forcë sjelljen joprofesionale, shproporcionale dhe të dhunshme të disa punonjësve të Policisë së Shtetit ndaj një të mituri, i cili sipas raportimeve paraprake po lëvizte jashtë orarit të lejuar për shkak të masave kufizuese të marra në kuadër të gjendjes së pandemisë.

Ky akt tepër i rëndë dhe i dënueshëm dëmton seriozisht imazhin e Policisë së Shtetit duke na kthyer pas në kohët e arbitraritetit.

Veçanërisht sjellja e çdo institucioni shtetëror përkundrejt të miturve në këto kohë të vështira duhet të garantojë ndërgjegjësimin e tyre për rëndësinë dhe respektimin e masave kufizuese, dhe jo ushtrimin e forcës policore.

Në respekt të sensibilitetit të madh shoqëror që ka shkaktuar me të drejtë kjo ngjarje, apeloj zbardhjen e menjëhershme dhe me transparencë të saj dhe nxjerrjen pa zvarritje të mëtejshme të përgjegjësive ligjore.

I bëj thirrje Policisë së Shtetit që gjatë gjendjes së fatkeqësisë natyrore të bëjë kujdes maksimal në zbatimin me përpikmëri të ligjit dhe misionit të saj, si dhe të ketë parasysh se liritë dhe të drejtat themelore të njeriut garantohen nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në çdo kohë dhe duhen respektuar nga çdo autoritet.