AKTUALITET, 16 Maj 2020, 15:47

Në Infektivin e Kosovës 12 të shtruar, katër pacientë me COVID-19 në gjendje të rëndë

Në Infektivin e Kosovës 12 të shtruar, katër pacientë

Në Klinikën Infektive të QKUK-së po qëndrojnë të hospitalizuar gjithsej 12 pacientë me COVID-19, ku katër prej tyre janë në gjendje të rëndë për jetën.

Ky fakt është bërë i ditur nga Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, i cili tha se gjendja e 8 pacientëve të tjerë paraqitet e stabilizuar. “Katër pacientë janë në gjendje më të rëndë (prej të cilëve dy janë me oksigjenoterapi në reparte të klinikës, ndërsa dy në Mjekim intensiv)”, ka thënë Hoti, përmes një postimi në Facebook.

Sipas Hotit, tre pacientë të tjerë të cilët kanë rezultuar negativ në COVID-19 e vazhdojnë mjekimin në klinikë, kurse tre të tjerë janë në pritje të rezultateve për SARS-Cov-2 (COVID-19). Kujtojmë se në Kosovë 955 persona rezultojnë të infektuar në total ndërsa 29 kanë humbur jetën.