TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Skema globale për shpërndarjen e vaksinës së Covid-19 në vendet e varfëra, e njohur si "Covax", mund të dështojë, duke lënë miliarda njerëz pa akses në vaksinë deri në vitin 2024. Dokumentat e brendshme, të publikuara nga Reuters, sugjerojnë se skema po përballet me probleme serioze.
Problemet thelbërore me këtë skemë, që synon vaksinimin e 20% të popullësisë në vendet e varfëra, lidhen me mungesën e dozave të nevojshme dhe mungesën e aprovimit nga trupat rregullatore.
Përshembull, vaksina e Universitetit të Oksfordit dhe AstraZeneca, e cila është një vaksinë e lirë dhe që mund të ruhet në temperatura frigoriferike normale, ka hasur vonesa në aprovim. Gjithashtu edhe vendimi i Institutit Serum të Indisë, për të vendosur si prioritet Indinë, pritet t'i japë një goditje skemës Covax, sepse kjo vaksinë do të ishte furnizimi kryesor për skemën.
Një tjetër problem i Covax është edhe mungesa e fondeve. Skemës i duhen edhe 4.49 miliardë dollarë shtesë për të arritur vaksinimin e 20% të popullsisë në vendet e varfëra, gjatë vitit të ardhshëm.
Një nga vendet që i ka kryesisht të varura shpresat tek ky mekanizëm është edhe Shqipëria.
"Qeveria shqiptare është angazhuar duke parapaguar për 20% të popullatës, 570 mijë qytetarë, doza përmes instrumentit të Covax. Portofoli i Covax përfshin 10 kompani që zhvillojnë vaksina. Ka mbyllur marrëveshjet me 3 kandidatë potencialë. Qeveria shqiptare ka hyrë në dritaren e parë të aksesit të sigurtë. Covax po negocion edhe me Pfizer dhe Moderna", ka deklaruar ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.
Një dokument i brendshëm i Gavi, i cili rrodhi në Reuters, tregon për mundësinë e dështimit të skemës dhe problemet me financimin. Sipas njërit prej dokumentave të Gavi, deri tani, Covax ka marrëveshje jo të detyrueshme me AstraZeneca, Sanofi dhe Novavax për 400 milionë doza, me opsionin për të porositur disa qindra milionë të tjera. Por, të treja këto kompani kanë hasur vonesa gjatë testimeve.
Një zyrtar i lartë i OBSH-së, ka deklaruar se ka bisedime me Pfizer dhe Moderna, të cilat kanë vaksina më të shtrenjta, për të përfshirë edhe këto vaksina, në shpërndarjen për vendet e varfëra, me një çmim më të ulët.
Qeveria shqiptare, duket se është e qartë për rrezikun e dështimit të Covax, ndaj ministrja dhe zyrtarë të tjerë kanë deklaruar se ka negociata edhe me vendet e BE-së që Shqipëria të ndihmohet në procesin e vaksinimit.
"Ne jemi përfshirë në Covax dhe lobojmë me shtete të ndryshme të BE, Italinë, Greqinë, Gjermani, për të mundësuar aksesin", tha ministrja.
Gjithashtu, kryeministri Rama, udhëtoi drejt SHBA-ve, në kërkim të vaksinës dhe deklaroi se zhvilloi një takim me bosin e Pfizer. Pavarësisht takimit, Rama nuk mund të thoshte me siguri një datë se kur do të mbërrijë vaksina në Shqipëri, por deklaroi se "mbetet optimist" që vaksina do të jetë e aksesueshme në dy muajt e parë të vitit 2021.
"Prodhimi është ende shumë më i ulët se sa kërkesa botërore! Por ambicia jonë është mos mbetemi mbrapa në radhën e stërgjatë të shteteve që kërkojnë vaksinën! Përveç kanalit të sapohapur për vaksinën Pfeizer do hapim në vijim edhe kanalet për vaksinat Moderna dhe Astrazeneca Ambicia jonë është që brenda dy muajve të parë të vitit të ri të nisim vaksinimin! Duket e pamundur po ne do t’ia dalim, pavarësisht vështirësisë së skajshme në këtë situatë për të gjithë, ku sidoqoftë vendet më të vogla e me të ardhura më të ulëta janë dhe më të dizavantazhuarat", deklaroi Rama pas takimit me bosin e Pfizer.
Një dështim i mundshëm i mekanizmit Covax, do t'i jepte një goditje përpjekjeve të Shqipërisë për sigurimin e vaksinës në një kohë të shpejtë dhe do të duhet të shoqërohet me përpjekje intensive për të arritur aksesin nëpërmjet negociatave me vende të tjera, apo me kompanitë drejtpërdrejt.
/TPZ.al/