AKTUALITET, 13 Shtator 2018, 10:36

Opozita bojkot seancës së sotme, mblidhet në Durrës. Emrat që do denoncojë Basha

Opozita bojkot seancës së sotme, mblidhet në Durrës. Emrat

Opozita bojkot seancës së sotme, mblidhet në Durrës. Emrat që do denoncojë Basha

Grupet parlamentare të opozitës do të mungojnë edhe sot në Parlament, por do të zhvillojnë një seancë paralele nga qyteti i Durrësit.

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe aleatët e tij të opozitës së bashkuar kanë vendosur që të zhvendosen në Durrës për t’i dhënë një tjetër mesazh qeverisë për bashkëqeverisjen me krimin. Kur ka kaluar një javë nga depozitimi i projektligjit të PD-së për vetingun e politikës, Basha pritet të kërkojë sërish vullnetin e shumicës për të kaluar ligjin në Parlament.

Burime nga PD sqarojnë se gjatë fjalës së tij, njësoj si në Shkodër dhe Elbasan, Basha do të denoncojë lidhjet e krimit me përfaqësuesit e shumicës.

Të njëjtat burime theksojnë se si kryefjalë e qëndrimit të Bashës do të jetë deputeti i PS-së, Jurgis Çyrbja, i kapur në përgjime me anëtarë të bandës së Emiljano Shullazit, por edhe kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako. Kjo është seanca e tretë paralele që opozita zhvillon me Parlamentin, ndërkohë që insiston për votimin e ligjit në Kuvend.

PROCEDURA

Koordinatori i grupit të punës së ngritur për dekriminalizimin përmes vetingut të politikës, Ervin Salianji akuzoi qeverinë dhe Kryeministrin Rama se nuk kanë vullnet për të shkëputur lidhjet me krimin. Demokratët kanë kujtuar se përmes një procedure normale parlamentare, projektligji i tyre për veting të politikës do të duhet të kalojë në seancën e datës 18 tetor.

“Nëse do të ketë vullnet për të mos e vonuar vetingun, atëherë, deri më 18 tetor, ndryshimi i Kushtetutës për pastrimin e politikës do të bëhet realitet. Kryetari i Kuvendit duhet të njoftojë Kuvendin për nismën më 13 shtator, e cila është seanca e parë pas depozitimit të nismës më 7 shtator.

Amendamenti kushtetues futet menjëherë në programin e punës së Kuvendit. Nisma shqyrtohet në mbledhjen e përbashkët të hapur për publikun mes Komisionit të Ligjeve dhe Këshillit për Legjislacionin dy javë nga data e depozitimit, jo më vonë se 21 shtator.

Mbledhja i paraqet seancës raportin e hartuar nga relatorët. Seanca plenare për miratimin e amendamenteve kushtetuese thirret jo më vonë se tri javë nga paraqitja e raportit. Respektimi i këtyre afateve pa zvarritje do t’u japë mundësi shqiptarëve që brenda datës 18 tetor 2018 të shohin vullnetin e palëve për miratimin ose jo të vetingut në politikë”. /Panorama/