AKTUALITET, 17 July 2026, 10:14

Operacioni/ Tentuan të kalonin kufirin, Policia Kufitare shpëton 11 emigrantë në det pranë Vlorës

Një operacion shpëtimi është zhvilluar në orët e para të mëngjesit të kësaj të premte (17 korrik) në ujërat pranë Vlorës, ku Policia Kufitare u ka ardhur në ndihmë 11 emigrantëve të paligjshëm, pasi mjeti lundrues me të cilin udhëtonin pësoi defekt në det.

Sipas informacioneve paraprake nga gazetarja e RTSH, Afrovita Hysaj, emigrantët po lundronin me një gomone, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit, kur mjeti pësoi avari rreth tetë milje larg grykëderdhjes së lumit Vjosë. Pas marrjes së sinjalit për ndihmë, shërbimet e Policisë Kufitare ndërhynë menjëherë, duke lokalizuar gomonen dhe evakuuar në mënyrë të sigurt të gjithë personat që ndodheshin në bord.

Bëhet fjalë për 11 emigrantë me shtetësi të ndryshme, konkretisht pesë shtetas nga Bangladeshi, tre nga Pakistani, një nga Libia, një nga Afganistani dhe një nga Haiti. Pas operacionit të shpëtimit, emigrantët u shoqëruan në Komisariatin e Policisë Vlorë, ku do t’i nënshtrohen procedurave ligjore dhe do të merren në pyetje për të sqaruar rrethanat e ngjarjes, si dhe itinerarin që kishin ndjekur për të tentuar kalimin e paligjshëm të kufirit.