BOTA, 22 Tetor 2017, 17:24

Një demonstrim i rrallë solidariteti i ish-presidentëve në një koncert bamirësie pas uraganeve

Një demonstrim i rrallë solidariteti i ish-presidentëve në

Në një demonstrim të rrallë uniteti, pesë ish-presidentët e SHBA u ngjitën krah për krah njëri-tjetrit në skenë në Teksas për një koncert për të mbledhur fonde për të prekurit e uraganeve që shkatërruan jugun e vendit dhe Karaibet.

Barack Obama, George W. Bush, Bill Clinton, George H.W. Bush dhe Jimmy Carter kënduan së bashku himnin kombëtar përpara se të uleshin në radhën e parë për të dëgjuar koncertin, i titulluar “Nga thellësia e zemrës, thirrja e një Amerike të bashkuar”.

“Iniciativa e tre ish-presidentëve demokratë dhe dy republikanë mundësoi mbledhjen e më shumë se 31 milionë dollarë nga afro 80.000 dhurues, një shumë që do të shkojë për të prekurit e uraganeve të fundit Harvey, Irma dhe Maria”, bëri të ditur sekretariati i George H.W. Bush.

Presidenti Donald Trump nuk ishte i pranishëm por u shfaq në fillim të koncertit me anë të videomesazhi ku ai e cilësonte ngjarjen të mrekullueshme dhe një përpjekje jetësore.

“Në rolin e ish-presidentëve, ne shprehëm dëshirën për të ndihmuar bashkëkombasit tanë për të filluar të ringrihen”, deklaroi Barack Obama në një video mesazh i transmetuar drejtpërdrejtë nga qyteti universitar i College Station, në Texas.