BALLKAN, 6 August 2026, 10:40

Nis seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, palët pa marrëveshje për ngritjen e institucioneve

Kuvendi i Kosovës nis seancën konstituive vetëm një ditë para përfundimit të afatit kushtetues, pas zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit. Ajo po kryesohet nga Avni Dehari, si deputeti më i moshuar, ashtu siç e kërkon procedura.

Deputetët duhet të formojnë Komisionin e përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve. Pavarësisht përpjekjeve për arritjen e një marrëveshjeje, takimi mes kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe liderit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, nuk solli një dakordësi për krijimin e institucioneve të reja.

Pika kryesore e mosmarrëveshjes lidhet me postin e Presidentit të Kosovës. Kurti ka këmbëngulur që ky post të mos i takojë LDK-së, por që të zgjidhet një figurë jopolitike, ndërsa LDK-ja ka kërkuar rol në procesin e zgjedhjes së kreut të shtetit. Situata politike mbetet e paqartë, ndërsa dështimi për zgjedhjen e Presidentit të ri brenda dy muajve do të mund të çonte vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Këto do të ishin zgjedhjet e katërta parlamentare në Kosovë brenda një periudhe dyvjeçare, duke thelluar krizën institucionale në vend.